I thonë Nacionales: Presidentja e ka parë intervistën e Martyt dhe e ka kontaktuar Zvicrën - NACIONALE

I thonë Nacionales: Presidentja e ka parë intervistën e Martyt dhe e ka kontaktuar Zvicrën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pavarësisht se deri më tash nuk ka bërë ndonjë reagim publik, po del se ka shfaqur interes për zhvillimet rreth ish-senatorit zviceran, Dick Marty. Kjo pasi ky i fundit e ka konfirmuar edhe vetë, që ka pranuar kërcënime me vrasje nga inteligjenca serbe, në mënyrë që të fajësohet Kosova.

Përveç reagimit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur kritika se për këtë çështje nuk po komenton presidentja Osmani. Megjithatë, pas katër ditësh nga zyra e presidents kanë folur përë këtë çështje.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, ka thënë për Nacionalen se kanë nisur menjëherë kontaktet me institucionet e sigurisë. Presidentja Osmani ka kërkuar informacione edhe nga autoritetet zvicerane, dhe pasi t’i pranojë ato, nga presidenca janë zotuar se do të deklarohen sërish.

“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova. Shkaku i ndjeshmërisë së rastit, Presidentja do të deklarohet sërish pas pranimit të informatave zyrtare nga shteti zviceran”, ka thënë Kupina për Nacionalen.

PËRPLASJET

Pavarësisht reagimit nga presidentja Osmani, debatet ndërmjet pozitës dhe opozitës për çështjen ‘Marty’ po vazhdojnë. Kjo u fuqizua edhe më shumë pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk shkoi në mbledhjen e Komisionit të AKI-së, ku për çështjen e Dick Martyt, raportoi kryespiuni Petrit Ajeti.

"Pas raportimeve të fundit për planifikimin e vrasjes së ish-senatorit Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe, si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, e kemi ftuar drejtorin e AKI-së për të na njoftuar rreth njohurive që mund të ketë lidhur me rastin. Fatkeqësisht edhe pse ishin të njoftuar të gjithë anëtarët e komisionit, kjo mbledhje u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje. Konsideroj që UÇK është mbi partitë politike", ka thënë Ganimete Musliu, deputete e PDK-së.

Megjithatë, deputeti i Vetëvendosjes dhe anëtari i këtij komisioni, Salih Zyba, ka thënë se ftesën për takim e kishin pranuar shumë vonë.

“Ftesën e kemi marrë dje pasdite dhe ka qenë shumë vonë, dhe në kundërshtim me rregulloret. Ne e vlerësojmë që është me rëndësi të diskutojmë, por jo me kaq urgjencë. Unë fizikisht nuk kam mundur të jem, dhe nuk e di se kush ka qenë aty e kush jo, mirëpo kurdo që mbahet mbledhja e rregullt, unë do të jem aty për t’i dhënë qëndrimet e mia. Vlerësoj se është temë që duhet të diskutojmë dhe ka rëndësi, por ka qenë në kundërshtim me rregulloret. Vendim të grupit parlamentar nuk ka pasur për të mos shkuar në këtë raportim, por duket se disa deputetë e kanë pasur të pamundur”, ka thënë Zyba për Nacionalen.

KËRCËNIMI I MARTYT

Ish-raportuesi special i Komisionit Evropian, Dick Marty, jeton me mbrojtjen policore për një kohë të gjatë, sepse jeta e tij është e rrezikuar nga elementet radikale të shërbimeve të inteligjencës serbe, raporton Radio Televizioni Zviceran. Martyt, i cili është ish-prokuror nga kantoni i Ticinos, i është dhënë mbrojtje policore që nga dhjetori i vitit 2020, raporton “Radio Television Suisse”.

“Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionistë që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësohen kosovarët”, ka deklaruar Dick Marty.

Ai ka shtuar se ekzistojnë veteranë që janë të specializuar për vrasje me porosi dhe se vrasja e dikujt në këtë mënyrë nuk është veçanërisht e shtrenjtë.

Televizioni shtetëror zviceran në frëngjisht raporton se ka pasur qasje në një dokument ku thuhet se vrasja e Martyt iu besua qytetarëve serbë, të cilët për një kohë të gjatë kryejnë detyra të tilla për shërbimet e inteligjencës serbe, të cilët janë trajnuar si profesionistë absolut.

Nga shumëkush ka pasur kërkesa që Dick Marty tash të ftohet edhe si dëshmitar në Gjykatën Speciale.

Ish-senatori zviceran i njohur për raportin e tij që UÇK-ja ka kryer trafikim organesh, vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes. Dick Marty e pranoi edhe zyrtarisht se Serbia ka synuar ta likuidojë dhe t’ua lë fajin kosovarëve. Për këtë, ai tash e 16 muaj po ruhet nga mbrojtja e afërt e Policisë së Zvicrës.

Zyra Federale e Policisë së Zvicrës ka konfirmuar për gazetën Nacionale se ata po vazhdojnë ta ruajnë nga afër ish-senatorin Marty. Madje, Policia zvicerane për Nacionalen, situatën e ka vlerësuar si tejet serioze.

“Mund të konfirmojmë se që nga dhjetori 2020, supozohej një situatë serioze e kërcënimit ndaj z. Dick Marty. Veç aspekteve të së drejtës penale, çështja përfshin në veçanti garantimin e sigurisë personale dhe gjithashtu ka komponentë politikë për shkak të kontekstit të supozuar transnacional. Për këtë arsye, autoritete të ndryshme federale janë të përfshira në fushat e tyre të përgjegjësisë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Fedpol, dhe autoritetet e tjera kanë marrë masa për këtë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Zvicrës.

Zvicra po mban kontakte me Beogradin zyrtar. Këtë e kanë konfirmuar vetë ata. Megjithatë, në pyetjen se a kanë kontakte me Kosovën pas paralajmërimeve nga kryeministri Kurti, Qeveria zvicerane nuk është përgjigjur.

Lajme të ngjashme