I quajti nomadë, deputetët e ish-opozitës i përgjigjen ashpër Kurtit: Veç ti je nomad
Deputetët e partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë e kanë dënuar deklaratën e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i cili dje ka thënë se deputetë e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë nomadë.
Ata kanë vlerësuar se kjo është një dekoratë fyese, duke thënë se i vetmi nomadë në skenën politike të Kosovës është Albin Kurti.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka bërë me dije se nomad është Kurti, i cili në Kosovë nuk ka asnjë pronë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Kurti nuk ka as vizion për të ardhmen.
“Në skenën politike, veç Albin Kurti është nomad! Pa vizion të qëndrueshëm, pa një adresë të përhershme për problemet e qytetarëve dhe pa asnjë përgjegjësi për dështimet e qeverisë së tij. Albini lëviz nga një premtim bosh te tjetri, por realiteti nuk e ndjek. Më tragjikja: në Kosovë nuk ka as pronë, as nuk rrit fëmijë, e as varr nuk ka! Kosova ka nevojë për udhëheqje të rrënjosur në të vërtetën JO për udhëtarë politikë që zhduken kur duhet të përgjigjen”, ka shkruar ajo.
Edhe deputetja e LDK-së, Arjeta Salihu-Abazi ka thënë se deklarate e Albin Kurtit është fyerje.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Kuvendi nuk është shtëpia e tyre.
“Deklarata juaj e fundit z.Kurti, në të cilën i quani deputetët e opozitës "nomadikë" për shkak të qëndrimeve tona politike, nuk është vetëm një fyerje për përfaqësuesit e popullit, por edhe një dëshmi e qartë e mungesës së respektit tuaj për pluralizmin demokratik dhe për vetë rolin e Kuvendit. Ne nuk e mohojmë Kuvendin, përkundrazi jemi aty, ditë për ditë, për ta kthyer atë në një vend ku debati është i vërtetë dhe ku punohet për të mirën e qytetarëve”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Shtëpia jonë është aty ku respektohen parimet demokratike, jo aty ku pushteti përpiqet t’i nënshtrojë të gjithë sipas vullnetit të një njeriu.
Nuk jemi nomadë z. Kurti, por jemi zë i qëndrueshëm i qytetarëve që presin më shumë, duan më shumë. Nëse dikush është larguar nga ideali i shtëpisë parlamentare, nuk është "opozita" që kërkon më mirë, por partia e parë. Në një demokraci të vërtetë, të gjithë kemi vend në Kuvend e jo vetëm ata që ju duartrokasin”, ka shkruar ajo.
Kurse, sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se me këtë deklaratë Kurti tregon se është ngucakeq.
“Populli e ka një shprehje të mirë që e përshkrun këtë situatë, Zoti Kurti është ngucakeq, smunet me nejt pa u nguc. Atë deklaratën që e ka pas thënë në fillim, mendoj që nuk ka qenë aksidentale, por ai e ka pas bindjen që përmes diasporës do ta mbyll lojën”, ka thënë Sherifi.
Çka tha Kurti?
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, dje ka përdoru gjuhë fyese ndaj deputetëve të ish-opozitës.
Duke i kritikuar ata që nuk po ia votojnë Albulena Haxhin për kryetare të Kuvendit, Kurti ka thënë se deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë nomad.
“Me këtë rast më lejoni që të theksojë që Kosova ka qeveri në detyrë, km në detyrë, çka mungon është Kuvendi. Deputetët nuk e kanë shtëpinë e tyre. Disa deputetë nuk po dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, të ketë kuvend. Dhe pastaj i vjen radha Qeverisë Kurti 3. Tash ata janë në fazën kur nuk po duan që Repubika të ketë Kuvend. Nuk ka kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti sikurse atyre opozitare”, ka thënë ai, duke thënë se ata nuk e duan Kuvendin të konstituuar.
“Sepse deputetët e opozitës pikërisht e duan kuvendin, sepse është mënyra dhe mjeti i tyre edhe më i madh se i mazhorancës. E deputetët e mazhorancës po e duan kuvendin, e ata e kanë qeveri. E deputetët e kanë veç Kuvendin. Më lejoni që deputetët që s’po dan kuvend t’i quaj nomadik. Sepse nomadët janë ata që nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Mund të mos dëshirosh të kesh shtëpi dhe të jesh refugjat”, është shprehur Kurti.