Hyseni kritikon opozitën për dialogun: E ka humbur rastin të jetë e efektshme
Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Skënder Hyseni, ka kritikuar edhe partitë opozitare në raport me dialogu me Serbinë.
Ai ka thënë se subjektet politike opozitare e kanë humbur rastin të jenë të efektshme në këtë proces.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hyseni ka thënë se ky plan nuk mund të kundërshtohet nga opozita dhe nga askush tjetër.
“Opozita po bënë përpjekje ta luaj rolin e vet. Mendoj se ka humbur rastin të jetë e efektshme. Nuk besoj që kundërshtimi i këtij plani mundet me ndodhë!”, ka thënë Hyseni.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, është shprehur mosbesues ndaj deklarimeve të kryeministrit, se nuk do ta pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kurti po vazhdon të bëjë lojëra semantike në përpjekje për të mashtruar dhe manipuluar opinionin. Ai tashmë ka pranuar formimin e asociacionit!”, është shprehur Hyseni.
Duke komentuar pikën 7 të planit, e cila po konsiderohet problematike, ai ka thënë se nuk është e rrezikshme.
“Për aq kohë që asociacioni zbatohet në pajtim me nënshkrimet e 2013 dhe 2015, si dhe në pajtim me sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk mund të shihet si rrezik, por mund të paraqes problem pajtimi eventual që të zbatohet një variant tjetër i asociacionit. Megjithatë, kam bindjen se BE dhe SHBA nuk përkrahin zgjidhje që do të provoheshin si defunksionalizim i Kosovës. Sidoqoftë, mbetet të shihet!”, ka thënë Hyseni.