Huqja e rëndë një-vjeçare e Vjosa Osmanit me serbët e Kosovës - NACIONALE

Huqja e rëndë një-vjeçare e Vjosa Osmanit me serbët e Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje ishte përvjetori i parë si presidente i Vjosa Osmani-Sadriut. Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ajo ishte personi më i votuar në Kosovë me mbi 300 mijë vota duke përfaqësuar frymën e Ndryshimit përmes listës së Vetëvendosjes. Ishte e natyrshme që të prisnim një presidencë shumë më të ndryshme nga ajo e para-ardhësve të saj, Hashim Thaçit e Atifete Jahjagës. Por, të paktën në një pikë ndryshimi duket se është bërë për të keq, madje shumë për të keq.

Javën e kaluar botova një opinion në të cilin në vija të trasha shpreha përshtypjen se si e shihja një presidente ideale për Kosovën. Unë besoj që ka presidentë që shërbehen me narrativa populiste dhe bëhen për secilën çështje me shumicën, në një anë, dhe ka presidentë progresistë e anti-populistë që përfaqësojnë gjithë popullin duke u rreshtuar fillimisht me pakicat. Të gjitha pakicat! Qoftë ato etnike, fetare, seksuale e të tjera.

Në këtë kuptim, veçanërisht e rëndësishme bëhet marrëdhënia e znj. Osmani-Sadriu me komunitetin serb.

Nëse hyjmë në faqen e saj në Facebook dhe shkruajmë “serb” në makinën kërkimore të llogarisë së saj nuk do të gjejmë asnjë postim që i dedikohet këtij komuniteti.

Edhe me Kushtetutën e Kosovës, presidentja duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit pavarësisht grupeve partikulare në të cilat bëjnë pjesë.

Së fundi, përshtypje të mirë la kryeministri Albin Kurti, i cili përkundër që u ndaloi serbëve të votonin në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë, bëri një video-spot ku fliste në serbisht dhe u bënte thirrje atyre t’i besonin institucioneve të Kosovës.

Kurti ka premtuar se do të niste një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, bile edhe para se të fillonte dialogun me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel. Kjo nisje nuk duket as në horizont tash për tash, por dialogu i brendshëm mund të bëhej ose të paktën të ndihmohej e lehtësohej edhe nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

Në mënyrë që të mos flisja vetmevete, fola me z. Ognjen Gogiq, një anëtar i Shoqërisë Civile nga Mitrovica e Veriut.

“Është për të të ardhur keq. Znj. Osmani mund të ishte një politikane që do të promovonte dialogun e brendshëm në Kosovë dhe mund të ndërtonte besimin ndër-etnik. Nuk ka një të kaluar nacionaliste. Sidoqoftë, ajo ka përjashtuar veten nga kjo përpjekje me sjelljen e saj ndaj komunitetit serb në Kosovë”, më tha z. Gogiq kur e pyeta për mundësinë që Osmani të niste dialogun e brendshëm.

Por, çka mendonte z. Gogiq në përgjithësi për raportin e presidentes Osmani-Sadriu me komunitetin serb të Kosovës?

E trishtë për t’u thënë por raporti mes znj. Osmani dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë është thuajse jo-ekzistent. Veçanërisht jo me komunitetin serb. Për dallim nga presidentja, Kurti bën dallimin mes Serbisë dhe Beogradit zyrtar në njërën anë, dhe serbëve të Kosovës në tjetrën. Znj. Osmani nuk pranon ekzistencën e serbëve në Kosovë. Znj. Osmani kurrë nuk iu ka adresuar serbëve të Kosovës, kurrë nuk ka bërë ndonjë zotim për ta, e as nuk i ka përmendur fare”, u shpreh ai.

Vjosa Osmani-Sadriu, frymëzuar edhe nga e ashtuquajtura ‘filozofi rugoviane’, ka përmendur dhe e përmend vazhdimisht rëndësinë e raporteve të mira të Kosovës me miqtë ndërkombëtarë. Por, miqtë ndërkombëtarë – posaçërisht SHBA-ja dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian – vazhdimisht kanë investuar në raporte të mira ndër-etnike dhe në forcimin e parimit të multi-etnicitetit për shtetin tonë.

Gogiq ka denoncuar edhe praktikën e mbrapshtë të mos-përkthimit të fjalimeve të saj në gjuhën serbe duke e cilësuar si “mos-respektim të Kushtetutës”.

“Qasja e znj. Osmani ndaj gjuhës serbe thotë shumë. Serbishtja është gjuhë bashkë-zyrtare në Kosovë. Përdoret në çështje administrative jo vetëm nga serbët, por edhe nga boshnjakët, goranët dhe romët. Sidoqoftë, kur znj. Osmani mban konferencat për shtyp, nuk ofrohet kurrfarë përkthimi. Deklaratat publike nga Zyra e saj rrallë jepen edhe në serbisht. Në këtë kuptim, znj. Osmani nuk po respekton as Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës jo vetëm komunitetet jo-shumicë. Ky është në kundërshti të plotë me presidentin e kaluar, Thaçin, të cilit i përktheheshin të gjitha në serbisht”, u shpreh ai.

Vjosa Osmani-Sadriu është politikane 39 vjeçare që ishte pjesë e politikës kosovare prej viteve 2000.

Të gjitha F J A L Ë T që tha Ognjen Gogiq:

E trishtë për t’u thënë por raporti mes znj. Osmani dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë është thuajse jo-ekzistent. Veçanërisht jo me komunitetin serb. Për dallim nga presidentja, Kurti bën dallimin mes Serbisë dhe Beogradit zyrtar, në njërën anë, dhe serbëve të Kosovës në tjetrën. Znj. Osmani nuk pranon ekzistencën e serbëve në Kosovë. Znj. Osmani kurrë nuk iu ka adresuar serbëve të Kosovës, kurrë nuk ka bërë ndonjë zotim për ta, e as nuk i ka përmendur fare.

Është për keqardhje sepse dikush mund të besojë që Osmani është politikania më progresive në Kosovë. Ajo është e re, grua, dhe është arsimuar në SHBA. Dikush mund të imagjinojë se ajo do të ishte politikania më liberale që e sheh sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe pakicave si parimet më të larta në politikë. Është e çuditshme se si politikanët si Thaçi dhe Haradinaj kishin më shumë respekt për serbët e Kosovës.

Qasja e znj. Osmani ndaj gjuhës serbe thotë shumë. Serbishtja është gjuhë bashkë-zyrtare në Kosovë. Përdoret në çështje administrative jo vetëm nga serbët, por edhe nga boshnjakët, goranët dhe romët. Sidoqoftë, kur znj. Osmani mban konferencat për shtyp, nuk ofrohet kurrfarë përkthimi. Deklaratat publike nga Zyra e saj rrallë jepen edhe në serbisht. Në këtë kuptim, znj. Osmani nuk po respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës jo vetëm komunitetet jo-shumicë. Ky është në kundërshti të plotë me presidentin e kaluar, Thaçin, të cilit i përktheheshin të gjitha në serbisht.

Edhe një gjë duhet përmendur. Kryeministri Kurti është shumë elokuent në serbisht. Ai së fundi xhiroi një video-deklaratë ku u fliste serbisht serbëve të Kosovës. Ky ishte një veprim për t’u përshëndetur, sepse mund t’i kushtojë politikisht. Serbët e çmuan këtë veprim. Znj. Osmani, në anën tjetër, as nuk lodhet që të marrë përkthyes me të që të ofrojë përkthimin në serbisht.

Kjo është për të ardhur keq. Znj. Osmani mund të ishte një politikane që do të promovonte dialogun e brendshëm në Kosovë dhe mund të ndërtonte besimin ndër-etnik. Nuk ka një të kaluar nacionaliste. Sidoqoftë, ajo ka përjashtuar veten nga kjo përpjekje me sjelljen e saj ndaj komunitetit serb në Kosovë.”

PËRDITËSIM: Nga Zyra e Presidentes kanë mohuar pretendimin e z. Ognjen Gogiq se mungon përkthimi në konferencat për shtyp dhe deklaratat e lëshuara për medie të presidentes Osmani Sadriu.

Lajme të ngjashme