Hoxha, politikani, reperi: Si e shfrytëzuan myslimanët vrasjen e Lulzimit për të çuar përpara agjendën e tyre?
Javën e kaluar Kosova u trondit nga një vrasje absolutisht brutale, ku si pasojë e sulmit me shkop të bejsbollit mbeti i vdekur Lulzim Fejzullahu, një 18-vjeçar nga Podujeva. Për rastin tashmë janë arrestuar dy të mitur, ndërsa shumë njerëz, përfshirë politikanë e analistë, reaguan për vrasjen e Lulzimit. Natyrisht, reaguan edhe myslimanët konservatorë, të cilët e shfrytëzuan vrasjen e Lulzimit për të çuar përpara një agjendë të tyre.
Më saktë, në disa reagime disa prej figurave më të njohura të komunitetit myslimanë në Kosovë, duke u bazuar në vrasjen brutale të Lulzimit, kërkuan mësimin fetar në shkolla. Një hoxhë i njohur, një politikan jo aq i njohur dhe një reper ishin personat që kërkuan mësimin fetar në shkolla.
Lë të fillojmë nga njeriu më i njohur nga kjo tresha: Enis Rama, hoxhë nga Mitrovica e Jugut. Në një postim, që mori mbi 5 mijë pëlqime, Rama vlerësoi se vrasja e Lulzimit nga Podujeva “duhet trajtuar me përgjegjësi dhe maturi”. Hoxhë Rama shtroi edhe disa pyetje, duke kërkuar në fund që të ketë më shumë hapësirë të ligjërimit fetar në shkolla dhe media.
“Mllefi dhe mërzia me këtë rast të mos mbeten postime e reagime mirëpo të shndërrohen në vetëdije dhe lëvizje shoqërore për të marr përgjegjegjësitë që na takojnë.
Vendimet e menjëhershme për ndalimin e disa programeve dhe spoteve të publikuara në media, marrja në përgjegjësi ligjore e atyre që paguhen për të ndaluar dukuri të tilla, hapësirë më tepër ligjërimit fetar dhe edukativ në shkolla dhe media, mund të jenë dëshmi se kësaj rradhe e kemi më seriozisht.” – shkroi Rama tri ditë më parë.
Edhe më i drejtpërdrejtë në këtë temë ishte Abdullah Klinaku, kryetar i një organizate të quajtur “Demokracia Konservatore”. Në emër të kësaj organizate, Klinaku e lëshoi një “Thirrje publike për lëndën e edukimit fetar”, e cila thirrje iu drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore, fetare, partive politike, mediave dhe intelektualëve.
Ai e shfrytëzoi vdekjen e Lulzimit për të propaganduar agjendën e tij për futjen e edukimit fetar në shkolla.
“Duke ju referuar rastit të fundit tragjik ku nga dhuna e dy të miturëve ka humbur jetën i mituri Lulzim Zejnullahu, ju bëjmë thirrje të gjithëve të reflektoni dhe të mendojmë edhe për një dimension tjetër shumë të rëndësishëm për edukimin e të rinjëve, e që është edukimi fetar në shkolla.
I vetëdijshëm se kjo temë ka ngjallur debate dhe ka nxitur palët të marrin pozicione të ashpëra pro dhe contra, megjithatë jam shumë i bindur se kjo çështje prapë duhet debatuar hapur, pa paragjykime dhe duke ju referuar praktikave më të mira të zbatimi të kësaj lënde në vendet evropiane. E gjithë kjo me qëllimin e vetëm që rasti sikur se i Lulit mos të përsëritet më.” – shkroi ai, ndër të tjera.
Ndërsa Arian Agushi, reper i njohur me nofkën “Gold AG”, ishte edhe më i drejpërdrejtë se hoxhë Rama e politikani Abdullahu, duke konkluduar se në shkolla mungon edukata familjare dhe fetare.
“Mungesa e edukatës familjare dhe fetare në shkolla. Dikur kur t’ka rreh arsimtari e ke dit që ka me t’rreh edhe baba te shtepia, e tash me bo me te fol diçka keq arsimtari shkon bashk me babën me rreh.Gjeneratë që në shkollë me hi n’kontrollë gjenë armë e substanca narkotike ma shumë se në ndonjë club. Gjeneratë që 15 vjeçar hyjnë në lokal dhe u shërbehet alkooli. Gjeneratë që nuk e njeh Krijuesin dhe i shkel krijesat.Këta janë më pak fajtorë, fajtorët e vërtetë jemi ne që jemi kundër edukimit fetar në shkolla nga frika që na bëhen hoxhallarë. Gjeneratë që e përqesh fejën e vet e hoxha i këndon te koka kur ndërron jetë. Gjeneratë që babës i thot plak e shokut i thot babë.Po i ruajmë nga diçka me vlerë e me duar tona po i hedhim në humnerë. E dhimbshme ajo pamje ku vrahet jetimi mizorisht” – shkroi ai.

Ndryshe, ideja e futjes së edukimit fetar në shkolla është një nga idetë qendrore të komunitetit mysliman në Kosovë, e cila deri më tani nuk ka marrë përkrahje të gjerë politike e shoqërore.