Hovenier: Së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të ShBA-së dhe të Kosovës
Ambasadori në largim i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka bërë adresimin e tij për fundvit.
Në videon që e ka postuar në “Facebook”, diplomati amerikan ka deklasuar që ka forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të ShBA-së dhe të Kosovës.
Ai ka numëruar punët që janë bërë gjatë këtij viti.
“Përderisa po e përmbyllim 2024-n, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të reflektuar për vitin e shkuar. Ishte edhe një vit i të arriturave të rëndësishme për Kosovën. Së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të ShBA-së dhe të Kosovës. Disa prej të arriturave përfshijnë: fillimin e Programit Kompakt të Koorporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të ShBA-së, që mundëson investimin e 236 milionë dollarëve në sigurinë dhe sistemet e ruajtjes së energjisë të Kosovës duke ndihmuar në krijimin e të ardhmes më të qëndrueshme për Kosovën. Vizitën e nënsekretares së Shtetit për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie me Publikun, Liz Allen, e cila nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me presidenten Osmani për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër ndikimit të huaj dhe manipulimit në media”, ka thënë ai, ndër të tjera.