Hovenier: Kosova të jetë konstruktive e kreative në dialog
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën që lamë pas ka udhëtuar drejt ShBA-së.
Atje pritet të zhvillojë takime me diplomatë e zyrtarë amerikanë, teksa deri më tani nuk është raportuar ndonjë takim i nivelit të lartë, përcjell Gazeta Nacionale.
Nacionale ditë më parë raportoi se përgjatë kohës së njëjtë, përtej Atlantikut po qëndron edhe Ramush Haradinaj. Kjo e fundit veçse dihet, por në opinionin politik kosovar ka spekulime rreth një vizite të përbashkët, që në thelb ka marrëveshjen finale, ani pse deri më tani mbetet në suazat e informatave jozyrtare.
Përveç këtyre takimeve zyrtare, Kurti do të takohet edhe me lobin shqiptaro-amerikan. Kujtojmë se për vizitë të këtij lloji, kreu i ekzekutivit kishte thënë më herët se nëse do të shkojë në ShBA do ta bëjë për të qëndruar më gjatë.
“Shkoj për 10 ditë e dy javë, por jo për tri ditë. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi jemi detyruar ta shtyjmë muaj pas muaji. Jam i interesuar të shkoj dhe kjo do të ndodh në pranverë. Do të më duhet të qëndroj pak më shumë se zakonisht në mënyre që ju të bëni pyetjen se kur do të kthehem në Kosovë”, deklaronte ai.
Në anën tjetër, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se Kosova, duke u bazuar në situatën momentale, duhet të jetë pjesëmarrëse në dialog.
Tutje, mes tjerash ai shtoi se përfaqësuesit tanë duhet të jenë konstruktivë e kreativë, ashtu sikurse Beogradi zyrtar.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se dialogu është një element shumë i rëndësishëm i asaj që po ndodh në rajon tani.
Ne presim që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, aktive, dhe kreative në dialog, njëjtë siç presim nga Beogradi që të bëjë të njëjtën gjë.
Është një shenjë e përkushtimit tonë ndaj dialogut dhe përkushtimit tonë ndaj marrëdhënies dypalëshe. Kosova është mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hovenier për Klan Kosovën.
Javëve të fundit është parë një intenstitet më i lartë i angazhimit të faktorit ndërkombëtar për dialogun Kosovë - Serbi, e në veçanti të ShBA-së, që e konsideron raportin Kosovë - Serbi si qenësor për një stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor.
Gjithë ky angazhim filloi me datën 25 të muajit të kaluar, kur në vendin tonë, e më pas edhe te vendet e tjera të rajonit, zbarkoi Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Evropën dhe Azinë, Karen Donfried.
Donfried ishte në shoqëri të zëvendësit të saj, Gabriel Escobar dhe gjeneralit Michael Howard.
Ndihmës Sekretarja kishte deklaruar se arsyeja që e mori me vete Howardin ishte demonstrimi i asaj se ShBA gëzon vëmendje të plotë rreth stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës.
“Ishte shumë me rëndësi për mua që gjenerali Howard, i cili është zëvendës-komandant i Komandës Evropiane, të ishte me mua në këtë udhëtim. E them këtë për disa arsye. Një, pata dëshirë të demonstroja përpjekjen e tërë qeverisë së SHBA-së për mbështetjen tonë për Kosovën.
Arsyeja tjetër është se për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e di se ka shtim të pasigurisë në Kosovë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Kosovë. Dhe prania e gjeneralit Howard na e përkujton të gjithëve rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan këtu në Kosovë dhe kontributin e SHBA-së, si kontribuuesi më i madh në atë forcë të NATO-s, për stabilitetin në Kosovë. Pra, më pëlqen edhe simbolika që jemi këtu së bashku, por edhe përkujtimi i asaj mbështetjes së gjerë që Shtetet e Bashkuara ia japin Kosovës”, thoshte ajo në Pressing, dy javë më parë.