Hovenier kërkon shtyrje të vendimit për dinarin, përndryshe “ndikohet në cilësinë e partneritetit Kosovë-ShBA”
“Duam që Qeveria e Kosovës të jetë partner me ne në këtë çështje shumë të ndjeshme...Nëse qeveria nuk dëshiron të jetë partner në këtë afektohet cilësia e partneritetit (Kosovë-ShBA)”.
Kështu e përkufizoi kërkesën dhe konstatimin e tij, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që patën mbarë ambasadorët e QUINT-it, përfshirë Turqisë, me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ftesën e këtij të fundit, ku temë ishte ndalimi i valutës serbe pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së.
Hovenier tha se hanë “të shqetësuar shumë me mënyrën se si po zbatohet” Rreglluroja e Bankës Qendrore të Kosovës, e jo që po zbatohet – duke thënë se ShBA respekton në plotni zbatimin e Kushtetutës së Kosovës që të ketë vetëm një valutë si tender ligjor.
Por, ambasadori amerikan nuk mundi të thotë se ka dëgjuar nga Qeveria e Kosovës që kërkesa amerikane dhe e QUINT-it ka gjetur edhe kuptimin e tyre.
“Folëm për çështjen për të cilën të gjithë po punojmë - çështja që të sigurohemi se si Rregullorja e amandamentuar nga BQK të mos ndikojë padrejtësisht në elemente të shoqërisë kosovare; dhe e kemi shprehur në deklaratën e fundjavës se jemi të shqetësuar se zbatimi i kësaj i Rregullore, nëse s’bëhet disa përmirësime, ndikon padrejtësisht në minoritetet, përfshirë komunitetin serb”, tha Hovenier.
“Dhe në bisedën që patëm me Kurtin, besoj që të gjithë ne prej diplomatëve shprehëm shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimin. Unë thjesht mund t’ua them çfarë ShBA dëshiron të sheh; që është shtyrja e zbatimit të kësaj Rregulore deri kur të bëhet më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe strategji, dhe vizion që fakton disa realitete, disa shqetësime të komunitetit por edhe disa praktikalitete, se si një individ që paguhet një benefit social me para në dorë, si funksonon kjo për të”, shtoi ai.
ShBA, sipas Hovenierit, s’bëhet fjalë të jetë kundër veprimeve kushtetuese dhe autoritetit të BQK-së, por se shprehet se besojnë që s’është ofruar mjaftueshëm kohë optimale dhe tranzicioni.
“E lë Qeverinë të flas për atë se sa janë të përgatitur për të rikonsideruar se si do ta zbatojnë këtë rregullore. ShBA kërkon shtyrje, më shumë punë të bëhet në zbatimin e saj që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe të ketë mjaftueshëm kohë edukuese”, ka thënë Hovenier.
“Në lidhje me veprimet e mundshme të ShBA-së, mund të them se ne shpresojmë që Qeveria të jetë partner me ne këtu, kjo është çka duam, partneritet...ndërsa në atë se sa Qeveria nuk dëshiron të jetë partner me ne në këtë çështje tejet të ndishme do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, ka shtuar ai.