Hoti tregon hapat që ka bërë VV-ja për ta “kapur” pozitën Guvernatorit të BQK-së
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka akuzuar partinë në pushtet se po shkon në drejtim të kapjes se pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore.
Ai ka thënë se hap pas hapi po shkohet në këtë drejtim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur veprime që i ka ndërmarr partia në pushtet për të kapur këtë pozitë të rëndësishme.
“1. Zgjedhja e Zëvendësguvernatorit u bojkotua gjatë tërë vitit 2022. Si rezultat, BQK mbeti pa Zëvendësguvernator, i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit. 2. Procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim. 3. Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t'i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit. Urime!”, ka shkruar Hoti.
Ndërkohë, para dy ditësh si pasojë e përfundimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe mungesës së zv/guvernatorëve, Bashkim Nurboja mori përkohësisht detyrën e guvernatorit.
Nurboja në cilësinë e kryetarit të Bordit të BQK-së do të marrë këtë pozicion tejet të rëndësishëm.
Lajmin e ka konfirmuar Banka Qendrore e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhej në komunikatë.
