Hoti: Qeveria ka rënë në grackën e Beogradit, në qeverinë time ka pasur maturi
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar situatën politike në veri të vendit duke thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e Beogradit.
Sipas deputetit të LDK-së, situata në veri është interferim nga Beogradi po sipas tij këso situatash ka pasur edhe në të kaluarën, që sipas Hotit janë menaxhuar më mirë.
“Situata në veri është krijuar me interferimin e Beogradit për të vendosur barrikada, ose për t’u tërhequr nga institucionet tendenca të tilla ka pasur edhe në të kaluarën”, tha Hoti në T7.
Hoti shtoi se qeveritë e kaluara kishin maturi shtetërore dhe se ishte evituar rënia në grackën e Beogradit.
“Unë besoj që ka qenë maturi shtetërore e qeverive të kaluara, edhe e qeverisë time, që të mos biejmë në këtë grackë. Dhe e kemi evituar këtë grackë… plotësisht në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.
Hoti tha se situata në veri nuk mund të menaxhohet pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
