Hoti ligjëron para studentëve në Paris: Marrëveshja e Uashingtonit shënoi kthesë të rëndësishme për Kosovën
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur një ligjëratë për negocimin dhe zgjidhjen e konflikteve në “IESEG School of Management” në Paris.
Para studentëve të huaj, ai ka folur për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Në profilin e tij në “Facebook”, deputeti i LDK-së ka shkruar se në këtë ligjëratë ka folur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit.
Sipas tij, ajo marrëveshje shënoi kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Ishte kënaqësi që para profesorëve dhe studentëve të “IESEG School of Management” në Paris, një institucion i shkëlqyer akademik, të diskutoj për negocimin dhe zgjidhjen e konflikteve. IESEG është ndër institucionet më eminente të arsimit të lartë në Francë, me programe të avancuara mbi negociatat dhe menaxhimin e konflikteve, duke integruar teorinë me praktikën për të përgatitur profesionistë për sfidat e botës moderne të biznesit dhe diplomacisë. Me profesorët dhe studentët diskutuam për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, një proces i gjatë dhe i komplikuar, me sfida politike, historike e diplomatike. Dialogu në Bruksel, i mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë, synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve në mënyrë paqësore, gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme, që siguron paqe dhe stabilitet në atë pjesë të Evropës, e përqendruar tek njohja e ndërsjellë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje për marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e ka nënshkrua në cilësinë e kryeministrit të Kosovës.
“Një moment kyç në këtë proces ishte ftesa e Presidentit Trump, në shtatorin e vitit 2020, kur u arrit Marrëveshja e Ëashingtonit. Ajo marrëveshje shënoi kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, me fokus në rritjen e investimeve, lidhjen e infrastrukturës dhe lehtësimin e tregtisë. E falënderoj profesor Valonin dhe kolegët e tij për këtë organizim të shkëlqyer. Është kënaqësi që mes elitës së profesorëve të këtij universiteti të kemi një profesor të nderuar nga Kosova, siç është Prof. Valoni”, ka shkruar Hoti.