Hoti fajëson VV-në për dështimin e seancës: Sjellja e mazhorancës, joserioze
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka fajësuar mazhorancën për dështimin e seancës se sotme të Kuvendit të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sjellja e partisë në pushtet është joserioze.
“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura. Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri ka paralajmëruar se Gjykata Kushtetuese do t`i rrëzojë edhe disa ligje tjera.
“Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese. Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve”, ka shkruar Hoti.
Mbajtja e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se të pranishëm në fillimin e seancës ishin vetëm 44 deputetë.
Në këtë mënyrë, ka thënë ai, seanca nuk mund të mbahet.
“Gjysmë ore është bërë prej kur është ftuar kjo seancë dhe është dashur të niste. Kështu që, vetëm 44 deputetë me sa po e shoh janë të pranishëm dhe nuk ka kushte për tu mbajtur seanca. Shihem në seancën e nesërme”, ka thënë Konjufca.
Në seancën e sotme ish paraparë që të diskutohen një varg pikash nga seancat e kaluara.