"Homofob, s'ki vend në Kuvend": Fotografitë nga protesta e sotme e LGBTQI+
Gazeta Nacionale ka dërguar fotoreporterin e saj, z. Valdrin Xhemaj, për të përcjellë protestën e sotme nga komuniteti LGBTIQ+ pas mosmiratimit të Projektkodit Civil që ishte në shqyrtim në Kuvend në seancën e djeshme.
Gjuha homofobe dhe arsyetimet e tyre për mosvotim gjatë ditës së djeshme kanë irrituar aktivistët që mbrojnë të drejtat e komunitetit.
Guximi i shfaqur nga aktivistët dhe pjesëtarët e komunitetit ishte i pashoq në këtë protestë, siç mund të vërehet edhe nga parullat e vendosura.
"Deputetët betohen në Kushtetutë, dhe jo në libra fetarë", thoshte njëra prej tyre.
"Dashnia nuk është sëmundje", thoshte një tjetër.
Çështja e martesave edhe në Kodin Civil të propozuar dje ishte diskriminuese ndaj komunitetit LGBTIQ+, dhe në pikën e dytë të nenit 1138 flitej vetëm për "bashkësitë e regjistruara civile". Sidoqoftë, edhe si të tilla ato u kundërshtuan nga grupet fetare që u bënë bashkë për një gjë të tillë, por edhe nga deputetë konservatorë në Kuvendin e Kosovës që nuk kursyen fjalë të papërshtatshme kundër tyre.





