Historia e parrëfyer e ‘mësuesit të UÇK-së’
Për këtë 7 mars, Nacionalja sjell rrëfimin mbi mësuesin që ishte vrarë nga forcat serbe në shkollën ku jepte mësim dhe në varrimin e të cilit UÇK-ja do ta bënte publike para botës ekzistencën e saj.
Çdo shtatë mars, Mësonjëtorja e Korçës na e kujton rëndësinë e mësuesve shqiptarë në veçanti dhe arsimit shqip në përgjithësi.
Kjo ishte porosi edhe nga ai që u mbiquajt “Mësuesi i UÇK-së”, Halit Geci, pak para se forcat serbe të shtinin pa asnjë provokim drejt civilëve brenda shkollës fillore të Llaushës.
I biri i mësuesit, Lulëzim Geci, rrëfen për gazetën Nacionale ngjarjet e ditëve nga 26 deri më 28 nëntor 1997.
Ai thotë që pas një beteje mes bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit dhe policisë serbe, këta të fundit, duke u tërhequr të turpëruar nga rezultatet e betejës, pushkët i kthyen edhe nga shkolla e fshatit ku jepte mësim babai i tij.
Po të mos ishte për mësuesin Halit Geci dhe kolegët e tij, të rrezikuar seriozisht do të ishin edhe vetë nxënësit filloristë të shkollës.
“Mësimi duhet të mbahet edhe në kohë lufte,” – Halit Geci.
Duke e ditur që forcat policore serbe po rrezikonin fëmijët e asaj shkolle, Geci ishte siguruar që nxënësit të largoheshin nga objekti i shkollës.
Mëngjesin e asaj dite, mësuesit s’i zihej vendi vend. Populli ende nuk dinte se kush po zhvillonte aksione kohë pas kohe kundër policisë serbe. Megjithatë, Halit Gecin, nuk e kishte tradhtuar mprehtësia prej mësuesi të kuptojë nga gjysmëfjalët se në të vërtetë ata që luftonin ishin pjesë e një ushtrie që po formohej për ta çliruar vendin.