Historia e Kurtit me EULEX-in dhe “nevoja” për 92 pjesëtarë shtesë të xhandarmërisë - NACIONALE

Historia e Kurtit me EULEX-in dhe “nevoja” për 92 pjesëtarë shtesë të xhandarmërisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në ditën kur Kosova arrestoi 48 zyrtarë policorë kufitarë për korrupsion e keqpërdorime, u zyrtarizua lajmi për përforcime nga Eulexi. Megjithatë, këto dy tema nuk ndërlidhen mes vete, pavarësisht se zhvillimet ndodhën në të njëjtën ditë.

Me 92 pjesëtarë të Forca Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) do të synohet stabilitet edhe më i madh i sigurisë në vend. 42 pjesëtarët nga Portugalia, 28 nga Franca e 22 nga Italia, do të jenë në mbështetje të EULEX-it.

Në rast se është e nevojshme”, këtë nevojë e theksoi edhe zyra e kryeministrit të Kosovës në komunikatën për media, madje me frazën “duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë”. Kjo me rastin e komunikatës, ku u bë i ditur takimi i kryeministrit Albin Kurti me shefin e EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Wigermark.

“Në këtë takim të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u bisedua edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit”, thuhej në komunikatën e qeverisë.

Megjithatë, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala shtimin e 92 pjesëtarëve të xhandarmërisë në përkrahje të EULEX-it, e ndërlidh edhe me zgjedhjet serbe që do të mbahen më 3 prill në Serbi. Kjo pas paralajmërimeve se Kosova nuk do t’i lejojë votimet në Kosovë, e në anën tjetër duke pare presionin ndërkombëtar që një gjë e tillë të lejohet.

Shala për gazetën Nacionale thotë se këto njësi pritet të dislokohen në brezin kufitar.

“Xhandarmëria është komponentë para-ushtarake. KFOR-i ka kërkuar ndihmesë që reaguesi i dytë në Kosovë që është EULEX-i, kur të shteren të gjitha mundësitë e institucioneve të Kosovë, atëherë EULEX-i me këtë komponentë të krijojë një forcë të dytë e cila mund të reagojë në rast se mund të ketë përshkallëzim edhe sa i përket zgjedhjeve serbe”, shprehet Shala.

“Këto janë nëjsi që dislokohen në brezin kufitar, janë të profilizuar pra për vendosje në kufijtë shtetëror. Do të bëhet vëzhgimi nëse do të ketë shtim të aktiviteteve kriminale në Kosovë, dhe nëse ka organizim të Serbisë për të hyrë në pjesën veriore”, deklaron Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

Ndryshimi i Kurtit për EULEX-in

Të hënën i priti në zyrë, madje bashkë me vartësit e tij Xhelal Sveçlën e drejtorin e Policisë, Samedin Mehmetin. Por, duke nisur që nga një dekadë më parë qëndrimet e Albin Kurtin për drejtuesit dhe EUEX-in në përgjithësi, ishin të ashpra.

12 vjet më parë, saktësisht në vitin 2010, Albin Kurti misionin e EULEX-it e kishte vlerësuar si të dështuar.

Me këtë proces kundër meje, EULEX-i e konfirmon analizën e VV-së se ai në fakt paraqet veç një UNMIK të ri. UNMIK-u i ri është avazi i vjetër. Nuk merren me kriminelët e policisë rumune që vranë Mon Balajn e Arben Xheladinin, por kanë zgjedhur rastin tim që të vazhdojnë izolimin politik dhe tendencat për kriminalizim të çfarëdo opozite jashtë parlamentit”, kishte thënë ai.

Qëndrimet e tij kundër misionit të BE-së për sundim të ligjit, Kurti nuk kishte hezituar t’i thoshte saktësisht një dekadë më parë. Madje, edhe në intervista për mediat ndërkombëtare.

“Por, unë jam kundër ndërkombëtarëve, si EULEX-it, të cilët i kanë të gjitha kompetencat. Ata janë mbi institucionet e Kosovës, ata vendosin për ne, kurse kurrë nuk kanë qenë të zgjedhur! Ata na trajtojnë sikurse Afganistanin”, kishte deklaruar Kurti në vitin 2012 në intervistën dhënë të përditshmes zvicerane “24 Heures”

Kundërshtimet e tij për EULEX-in, Kurti i kishte thënë edhe në seancën e vitit 2015 kur po votoheshin ndryshimet për Gjykatën Speciale.

“Nëse EULEX-i do ti përmbahej zotimit për luftimin e korrupsionit, krimeve të luftës, krimit të organizuar, atëherë do të duhej t’i arrestonte partnerët e vetë. Cfarë po bën EULEX-i tash e 7 vjet. Mbikëqyr zakonisht. Ai përkujdeset që punët të shkojnë vaj. Edhe kur s’ka targa të Kosovës në veri, edhe kur vidhen 48 kilogramë drogë dhe askush nuk dha dorëheqje. Organet e sigurisë në krye me EULEX-in e kërkojnë krimin jashtë sistemit, ata e kanë gjetur vetëm VV-në që e kanë persuktuar rregullisht. Baza e EULEX-it është e favorshme për Serbinë. E ka ndihmuar Serbinë ti afrohet Bashkimit Evropian”, kishte thënë Kurti në seancën e vitit 2015.

Madje në një kohë, Kurti me përkrahësit e Vetëvendosjes kishin rrokullisur edhe veturat e EULEX-it, për çka kishin nisur disa procedura gjyqësore.

Por çka është EUROGENDOR – Forca Evropiane e Xhandarmërisë?

Forca Evropiane e Xhandarmerisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e paraorganizuar, e fuqishme dhe shpejtë e zbarkueshme. Në kuadër të mekanizmave të sigurisë në Kosovë ekzistojnë tri faza: Policia e Kosovës si reargues i parë, EULEX-i si reagues i dytë dhe KFOR-i i fundit. Qëllimi i reaguesit të dytë të sigurisë, në këtë rast EULEX-it është de-eskalimi i tensioneve dhe rikthimi i rendit publik, si dhe mbrojtja e jetës, integritetit dhe pronës së popullsisë së prekur.

Kjo forcë evropiane e xhandarmërisë u krijua në dhjetor të vitit 2000, kur ishte vendosur se Bashkimi Evropian duhet të bëhej me një forcë operacionale për siguri dhe mbrojtje. Koloneli Paulo Jorge Macedo Gonçalves mori detyrën si Komandant i Përhershëm i Shtabit të EUROGENDFOR-it më 24 qershor 2021. Më parë ai kryente detyrat si Ndihmës Shefi i Shtabit për Divizionin e Operacioneve dhe Ushtrimeve.

Lajme të ngjashme