'Hilet' e Kurtit, nën llupën e mediave botërore: Stili i tij e ka lënë me pak aleatë brenda dhe jashtë vendit - NACIONALE

'Hilet' e Kurtit, nën llupën e mediave botërore: Stili i tij e ka lënë me pak aleatë brenda dhe jashtë vendit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Veprimet e përçudshme politike të Albin Kurtit i cili ia mësyu të martën betimit për deputet dhe ruajtjes së njëkohshme të postit në krye të ekzekutivit – që rezultoi me dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit – tërhoqën vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Përpjekja për të ushtruar njëherësh dy funksione, në kundërshtim të qartë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Qeverinë, shtyu partitë opozitare të refuzojnë votimin e raportit të Komisionit Verifikues.

Në një artikull kushtuar këtyre zhvillimeve, agjencia e njohur ndërkombëtare “Bloomberg” raportoi për dështimin në konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se kjo situatë mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të vonojë formimin e qeverisë së re.

“Mbledhja inauguruese e deputetëve u kthye në kaos dhe më pas u pezullua pasi përfaqësuesit e opozitës thanë se Kurti dhe ministrat e tij nuk kishin dhënë dorëheqjen në kohë, siç parashikon kushtetuta.” – shkruan ndër të tjera mediumi.

Më tej, “Bloomberg” shkruan se qasja udhëheqëse e Albin Kurtit e ka izoluar politikisht Kosovën, duke e lënë pa mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm në skenën e brendshme politike, por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Stili i tij i udhëheqjes, megjithatë, e ka lënë me pak aleatë si në vend ashtu edhe në Bashkimin Evropian dhe ShBA.”

Sipas prestigjiozes amerikane, aleatët e Kosovës “e kanë akuzuar” Kurtin për “marrje vendimesh të njëanshme dhe për nxitje tensionesh me Serbinë fqinje, e cila refuzon ta njohë sovranitetin e Kosovës.”

Associated Press, ndërkaq, e përshkroi anulimin e seancës si një ngërç që mund ta fusë vendin në një “sagë të gjatë ligjore” përpara se të mund të formohet një kabinet i ri.

“Pas një vonese të shkurtër në procedura, opozita votoi kundër një raporti që shqyrtonte nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kabineti i tij vepruan në përputhje me kushtetutën kur nuk dhanë dorëheqje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje!, partia e majtë e Kurtit, fitoi 48 nga 120 ulëset – më pak se shumica e nevojshme për të formuar vetë qeverinë. Në vitin 2021, kjo parti kishte fituar 58 ulëse.”

AP vuri theksin gjithashtu te domosdoshmia e formimit të institucioneve të reja mes një sërë sfidash që e presin Kosovën.

“Një kabinet i ri do të ishte i domosdoshëm jo vetëm për të drejtuar ekonominë e vendit dhe shërbimet e tjera, por edhe për të vazhduar bisedimet për normalizim që po zgjasin tash 14 vjet me Serbinë, të cilat nuk kanë shënuar përparim dhe marrëdhëniet bilaterale mbeten të tensionuara.”

Lajme të ngjashme