Kurti e konfirmon heqjen e ndalesës së mallrave serbe në Merdare: Po presim skanerët për pikëkalimet tjera kufitare
Teksti është përditësuar...
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ka hequr ndalesën për mallrat serbe, pas raportimeve se masa e sigurisë është ndërruar në “kontroll të detajuar” dhe atë vetëm në pikëkalimin kufitar të Merdares.
Kështu bërit të ditur vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media të thirrur për të njoftuar për rritjene e të gjitha pensioneve për 20% për të gjitha kategoritë pensionale.
“Sot paradite ministri Sveçla i ka shkruar drejtorit të Doganave, që në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar. Derisa të na vijnë skanerët, kur të vijnë skanerët, ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, derisa të mos vinë do ta hapim një pikë kufitare, e cila do të ketë kontrollin e shtuar, pasi masat tona janë të sigurisë. Në 7 ditët në vijim kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme: pasnesër mbledhja e CEFTA-s, e sot një javë, samiti i procesit të Berlinit, e ku presim të kalohet nga Cefta në CRM, Tregu i Përbashkët Rajonal”.
”Masat tona nuk janë tregtare, janë të sigurisë. Në dy vitet e fundit Serbia e ka sjellur ushtrinë te kufiri, në vitin e kaluar e këtë vit, kemi pasur katër konfiskime të mëdha të armatimit e municionit, grupi terrorist që e vrau Afrim Bunjakun është i lirë në Serbi. Nëse kanë hyrë mallra nga Serbia, e nuk e kemi kontrolluar, ndodh që diçka përvidhet. E kam parë në Hamburg edhe si duket skaneri statik edhe mobil. Duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë tregtare. Në njërën prej pikave po e bëjmë këtë ndryshim sipas letrës që ministri ia ka dërguar drejtorit të Doganave. Prej meje e të gjithë jemi marrë me këtë punë, këta kanë biseduar e negociuar edhe me BE-në, Gjermaninë, ndryshimi i masës, është mëse i mjaftueshëm, që pasnesër në CEFTA e të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”, tha Kurti.
Kosova u kushtëzua me heqjen e kësaj ndalese ose do të mbetej jashtë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) si dhe do të pasonin dëmet sa i përket përfitimit në Fondin e Rritjes të BE-së.
Ambasada gjermane pati bërë të ditur ditë më herët për Nacionalen se janë afate strikte që Kosova duhet t’u përmbahet në lidhje me heqjen e mallrave serbe.
Reperkusione të do kishte ndaj Kosovës dhe sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, nismë kjo që ka për synim krijimin e një tregu të përbashkët rajonal që do të çonte në tregun e përbashkët të BE-së si pararendëse.
Kosova ka kërkuar që të ketë skanerë me Rreze X për të kontrolluar kamionët dhe maunet serbe në kufi ndësrsa kanë bërë të ditur se janë duke negocuar me aleatët për kontraktimin e tyre.
Kjo si “mekanizëm sigurie” para heqjes së ndalesës së mallrave serbe.
Oda Ekonomike Amerikane e përshëndeti vendimin e qeverisë për heqjen e mallrave serbe ndërsa potencoi edhe “ndikimin negativ” që ky vendim kishte pasur në interesat komerciale të ShBA-së dhe shteteve anëtare të BE-së.
Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Shenoll Muharremi, e ka vlerësuar si vendim për ta përkrahur heqjen e ndalesës së mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës, që u raportua mëngjesin e të hënës, ndonëse ende s’është konfirmuar zyrtaisht.
“E përkrahi Qeverinë e Kosovës në modifikimin e qëndrimit rreth mallrave nga Serbia. Ky ndryshim nuk ka ardhur pse ne 'kemi lëshu pe' apo pse jemi të ligë, përkundrazi. Kjo ka ardhur nga kërkesa dhe këmbëngulja e aleatit tonë, Gjermanisë, e cila edhe ka kërcënu me 'përjashtim' nga CEFTA nëse nuk bëhet një gjë e tillë. Këtu qeveria është treguar pragmatike dhe e matur, meriton mbështetjen”, shkroi Muharremi.
Pas raportimeve se është hequr ndalesa ndaj mallrave serbe në një pikëkufitare ka reaguar gazetari Lirim Mehmetaj në tone të ashpra due thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “heq dorë edhe nga emri i tij”.
“Fatmirësisht askush në Kosovë nuk i ka thënë Albin Kurtit as bëje as mos e bëjë. Kështu që këtë poshtërim të fundit, këtë shkërmoqje totale, këtë ekspozim të qyqarllëkut qeveritar, le ta gëzojnë vetë”, shkroi Mehmetaj.