Hekuran Murati: Vlera e koeficientit nuk është llogaritur në mënyrë paushalle
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka folur rreth vlerës së koeficientit për pagat e zyrtarëve publik, koeficient i cili ka vlerën 105 euro.
Duke u përgjigjur kritikave të opozitës, Murati tha se vlera e koeficientit të pagave nuk është është përllogaritur me detaje dhe se nuk bëhet fjalë për hamendësime.
“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai në Debat Plus.
Ministri i Financave, tutje ka dhënë detaje për llogaritjet e Qeverisë së Kosovës për ta vendosur vlerën e koeficientit.
“Bëhet fjalë për përcaktimin e vlerës së koeficientit që i ngërthen dy ligje ligjin e buxhetit dhe ligjin e pagave. Ligji i Pagave ka kaluar që dy muaj, aty janë përcaktu nivelet për secilin pozitë sa është niveli i koeficienteve për secilën pozitë, dikuj i është caktuar 5 dikuj 6 e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Me koeficientin e ri sipas Muratit, vlera totale e buxhetit për paga shkon në 745.5 milionë euro, kurse shtesat e rritjes arrijnë 12% apo 105.5 milionë euro.
“Vlera totale e buxhetit është 745.5 milionë euro, kurse shtesat përafërsisht janë diku 12% e pagës bazë 105.5 milionë euro. Në vitin e kaluar shpenzimet për paga ka qenë 640 milionë euro. Shpenzimi pa shtesa të pandemisë ka qenë 640 milionë për paga të rregullta”, tha Murati.
