Hekuran Murati kërkon që opozita të reflektojë, Kuvendin e përzien me komunë
Deputeti Hekuran Murati ka thënë se opozita duhet të reflektojë për çështjen e kryetarit të Kuvendit.
Duke folur para mediave, ai e huqi Kuvendin me komunë.
“Partitë opozitare vazhdojnë bllokadën, taktikat bllokuese në konstituimin e Kuvendit. Kushtetuta është e qartë, thotë se është e drejtë ekskluzive e partisë fituese për kryetar komune. Kemi edhe interpretimin ku të gjithë deputetët duhet të jenë prezentë dhe të votojnë. Është detyrë e të gjitha partive të konstituojnë Kuvendin. Po të ishte që partia fituese duhet të sigurojë shumicën te kryetari i Kuvendit, do të bllokohej, se kjo i bjen që partitë opozitare nuk do t’i kishin 61 vota për nënkryetarët”, tha ai.
“Kandidati ynë vazhdon të jetë Albulena Haxhiu, është kandidate e partisë fituese, që është e drejtë ekskluzive që na garanton Kushtetuta. Meqënëse po shihet që opozita nuk e ka ndërmend të ecin, duhet të ulemi, për çdo veprim duhet të ketë konsensus politik, në mënyrë që të zhbllokohet procesi. Emri dhe propozimi i takon partisë fituese”, tha Murati.