Haziri e thumbon Konjufcën: Isa Mustafën duhesh me e përqafë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkruar një status të shkurtër në lidhje me deklaratën e Glauk Konjufcës, i cili e vlerësoi lartë letrën e Frederica Mogherinit, ish-përfaqësuese e lartë e BE-së, të cilën ia kishte dërguar ish-kryeministrit Isa Mustafa.
Në postimin e tij, Haziri shkroi se Konjufca duhet ta përqafojë Mustafën për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Dy fjalë për Glauk Konjufcën: Nëse për letrën e Mogherinit ia dhe dorën Isa Mustafës, për rolin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin duhesh me e përqafë. Përtej kësaj, më mirë vonë se kurrë!” – shkroi ai.
Çka tha Konjufca?
“Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon.” - deklaroi Konjufca, raporton Nacionale.