Haxhiu për zgjedhjen e Kryeprokurorit: KPK-ja e ka nisur gabim, është në dorën e presidentes Osmani
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur edhe njëherë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të shtetit.
Ajo në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se zgjedhja e tij është në dorë të presidentes Osmani.
“Sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit, këta (KPK-ja) vet e kanë nisur gabim, por kjo tashmë është në dorë të presidentes Osmani. Aktualisht, Kushtetuta nuk e përcakton afatin kohor të presidentes për të dekretuar ose jo Kryeprokurorin. Mirëpo, siç kam dëgjuar nga Zyra e Presidentes, ata presin që të zgjidhet kontesti ligjor në Gjykatën Kushtetuese për këtë dhe pastaj pritet të dalin me vendim”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ajo ka theksuar se problemi kryesor në sistemin e drejtësisë është konflikti i vazhdueshëm për reformat e drejtësisë.
“Nuk mendoj se problemi kryesor është aty. Por, unë mendoj se problemi kryesor në sistemin e drejtësisë është konflikti i vazhdueshëm për reformat në drejtësi. Ata kanë pasur deklarata publike duke thënë se si reformat që ka nisur Ministria e Drejtësisë, shkelin pavarësinë e sistemit prokurorial”, ka thënë ajo.
