Haxhiu që dështoi ‘kushedi sa herë’ të bëhet Kryetare e Kuvendit, fton gazetarët në konferencë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, kandidatja e shumëfishtë për Kryetare të Kuvendit, ka thirrur konferencë për media, këtë të dielë nga ora 13:00.
Konferenca do të mbahet brenda qeverisë së Kosovës, ndërkohë që arsyet nuk janë bërë të ditura.
Ajo që dihet është se Albulena Haxhiu e pa me sytë e saj, se s’po i dilnin votat për tu bërë Kryetare e Kuvendit, por insistoi e insistoi e insistoi…
Situata politike, Haxhiu si bllokadë
Në mbrëmjen e 9 shkurtit, pak pas rezultateve preliminare, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurtin, u lëshua në një gjuhë aq brutale ndaj partive tjera, sa na ofroi një projeksion kristal të qartë për krizën që do të pasonte.
Nën maskën e "përpjekjeve për formimin e institucioneve" fshihej dëshirë e qartë për bllokadë, pas rezultateve preliminare të cilat nuk lanë institucion pa i kontestuar. Teksa ngërçi zgjatet, Kurti vijon të mbajë postin e kryeministrit, të lëvizë me xhipa të zinj, si dhe t'u lejojë deputetëve-'ministra' të marrin vendime sikur të kishin me mandat të plotë.
E ‘sakrifikuara’ e bllokadës ishte deputetja Albulena Haxhiu, të cilën Kurti e emëroi “kandidate të përhershme” për kryetare të Kuvendit, e propozuar seancë pas seance, megjithëse i vetëdijshëm se i mungonte parakushti elementar i demokracisë: shumica.
Sa më shumë që dështonte votimi, aq më këmbëngulës bëhej Kurti, një situatë që ai refuzonte ta pranonte si të tillë, duke deklaruar se gjithçka ishte në normalitet.
Paralelisht, prodhohej mirazhi i “gjetjes së zgjidhjes”: thirrje takimesh me liderët e partive të tjera, deklarata për gjoja vullnet për kompromis. Pretendonte dialog, ndërkohë që, sipas liderëve të partive tjera, s'lëvizte milimetër nga qëndrimi gjatë këtyre takimeve.
Në emër të legjitimitetit politik, Kurti, me argumente të sojit “gjejeni një vend tjetër në Evropë ku partia e dytë dhe e treta nuk bëjnë bashkë sa e para”, jepte shenja të qarta të qëllimeve për tejkalimin e çdo kufiri kushtetues.
Madje as aktgjykimi i 26 qershorit i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndali partinë e Kurtit. Kryesuesit Avni Dehari nuk i iku një seancë pa e vepruar në kundërshtim të plotë me këtë aktgjykim, duke i detyruar partitë e tjera t’i drejtohen edhe një herë këtij institucioni për t’i riqartësuar disa pika, siç ishte rasti i votimit të fshehtë.
Më 7 gusht, gjykata kristalizoi veprimet antikushtetuese të kryesuesit Dehari: seancat nga 27 qershor deri më 26 korrik u shpallën të pavlefshme; u konstatua se kryesuesi nuk kishte vepruar në pajtim me aktgjykimin e 26 qershorit; dhe procesi duhej ri-vendosur në binarët kushtetues.
U urdhërua vijimi me pikën 3 të rendit të ditës, me propozim të kandidatit nga grupi më i madh, përmes votimit të hapur dhe jo më shumë se tri tentativa për të njëjtin kandidat; u detyruan të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë; si dhe u caktua afati prej 30 ditësh për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo rezultoi në një shuplakë për Kurtin dhe Vetëvendosjen, të cilët u lëshuan në sulme e akuza menjherë pas vendimit. Madje, ata janë përmendur me emër dhe mbiemër nga udhëheqja e partisë së Kurtit, duke u pretenduar lidhjet e tyre me pushtetet e kaluara, ndonëse 5 nga 7 gjyqtarët aktual të Kushtetueses, në vitin 2021, e kishin rrëzuar Qeverinë Hoti.
“Outsmarted” nga deputetët e partive të tjera, veprimet në kundërshtim me Kushtetutën (siç ishte tentativa për votim të fshehtë), Kurtit iu ngushtuan ndjeshëm me aktgjykimin e fundit të Kushteuteses. Megjithatë, veprimet e Vetëvendosjes pas aktgjykimit të qershorit sugjerojnë se kjo parti mund të përdredhë situata sërish, me qëllim zgjatjen maksimale të ngërçit institucional.