Haxhiu për kritikat e Amerikës: S’është në rregull, jemi votuar mbi 50%
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kohë pas kohe, nuk kanë gjetur mirëkuptim nga shtetet e QUINT-it në lidhje me veprimet e qeverisë në veri të vendit, të cilat, aleatët i kanë cilësuar si të njëanshme.
Haxhiu në një intervistë dhënë së fundi, ka deklaruar se nuk kanë marrë veprime pa i njoftuar aleatët, pasi, ata “e dijnë” vizionin e Qeverisë.
“Ne kemi pasë në vazhdimësi takime me partnerët tanë, me të gjithë shtetet e QUINT-it, të gjitha mekanizmat e rëndësishëm, sidomos në aspektin e sigurisë. Nuk është që kemi ndërmarrë veprime pa qenë ata të njoftuar, sepse ne kemi treguar se cili është vizioni ynë që në veri most ë ketë si me thënë banda kriminale, apo “Brigada të Veriut” e “Mbrojtje Civie”, se ju e dini që këto me vendim të Qeverisë janë shpallë organizata terroriste dhe të jashtëligjshme.” – u shpreh ajo në “DPT te Fidani”, transmeton Nacionale.
Por, sipas Haxhiut, në këtë drejtim nuk kanë gjetur mirëkuptimin e partneëve perëndimorë:
“Dhe në këtë drejtim, nuk kemi gjetur kohë pas kohe mirëkuptimin e tyre. Nuk e di pse. Mendoj që është shumë problematike si qasje, për faktin se, nëse kishim vepru në kundërshtim me Kushtetutën, në përputhje me përgjegjësitë tona, sigurisht që mund të prisni deklarime të tilla”.
Kështu, ajo tutje ua kujtoi atyre se “janë votuar mbi 50 për qind”, duke pyetur se a nënkupton kooridnimi të bësh çfarë të thonë partnerët.
“Koordinimi çka nënkupton, që kur të thonë partnerët bëje këtë, ta bësh. S’është në rregull, Qeveria është qeveri legjitime, ka mbështetje shumë të madhe nga qytetarët, ka pasur mbështetje nga qytetarët mbi 50 për qind, kemi përgjegjësitë tona, unë mendoj se mosveprimi do të ishte skandaloz, nuk do të na falej nga qytetarët e Kosovës.” – tha ajo.
“S’bëhet fjalë për urinim”
Haxhiu ka komentuar edhe deklaratën e ashpër të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier ndaj Qeverisë së Kosovës: “Mos urino në derën e klubit ku do të hysh”.
Sipas haxhiut, ambasadori i di “vlerat pro-perëndimore të Kosovës”, dhe “nuk bëhet fjalë për urinim”.
“Vlerat properëndimore që i përqafon Republika e Kosovës, do të thotë, këtë ide edhe ambasadori amerikan. Unë jam e bindur që këtë e di edhe ambasadori amerikan, më falni që po shprehem kështu, këtu s’bëhet fjalë as për një urinim, edhe një herë kërkoj ndjesë nga shikuesit tuaj, dhe as për pështyrje të atyre vlerave, ne kemi mësuar nga ato velra, edhe si popull, si qeveri, si shtet, si përqafojmë ato.
Kosova është vend demokratik, prandaj çfarëdo veprimi jonë në këtë drejtim, ka qenë edhe i ligjshëm. Për mua ka qenë pak e habitshme një deklaratë e tillë, por vlerësoj që duhet të kuptohet se përsa kohë jemi një vend shumë properëndimor, kemi një shtet përballë vetës që është prorus, dhe nuk guxojmë të tolerojmë ambiciet e Serbisë të shtyhen përpara.” – tha ajo tutje.