Haxhiu, PDK-së: Keni dashur t`i amnistoni krimet e Serbisë - NACIONALE

Haxhiu, PDK-së: Keni dashur t`i amnistoni krimet e Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deputetëve të PDK-së, të cilët e kanë akuzuar Qeverinë për deklaratën e të pagjeturve.

Haxhiu ka thënë se për herët ët parë këtë çështje me prioritet e ka trajtuar Qeveria Kurti.

Ajo ka deklaruar se dokumenti për të cilin janë pajtuar palët në Bruksel e bën përgjegjëse Serbinë për të zhdukurin gjatë luftës.

Nënshkrimi i Deklaratës për të Zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive. Obligohet të mos pengojë gërmimet, siç ka ndodhur në vazhdimësi. Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, deklarimet e deputetëve të opozitës për këtë çështje janë të papranueshme.

Është e papranueshme që një deputete e Kuvendit thotë që Serbia nuk e obligon, pasi kjo është ajo që Serbia do që të dëgjojë. Është e papranueshme të mos njihet kontributi i Qeverisë për adresimin e krimeve të luftës. Ka pasur përpjekje nga qeveritë e kaluara, nga njerëzit e PDK-së, të amnistohen krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë”, është shprehur ministrja Haxhiu.

Më pas, në foltoren e Kuvendit, ajo ka lëshuar një audio-incizim të ish-ministrit të Dretëjsisë, Hajredin Kuçi, i cili kishte thënë se për krime lufte nuk do ta dënonte askënd.

“Për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri. Kisha bë amnisti. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia”, thoshte Kuçi në audion e lëshuar.

Duke e komentuar këtë audio, ministrja Haxhiu ka thënë se qasja e PDK-së ishte amnistimi i krimeve serbe.

Këtë qasje e ka ndjek PDK-ja, këtë qasje e ka ndjek edhe Hashim Thaçi. Po të mos ishte adresuar nga mediat dhe opozita e asaj kohe, ka pasur përpjekje për amnistimin e krimeve. Juridikisht s’mundet, por politikisht ka pasur përpjekje. Prandaj Serbia është amnistuar në kohën që ju keni qeverisur. Ju lutem mos flisni gjëra që as vetë si besoni. Serbia është shfajësuar në kohën kur keni qeverisur ju”, është shprehur Haxhiu.

Lajme të ngjashme