Haxhiu në mbrojtje të Pecit, flet për një “plan” që të dëmtohen ai dhe Kurti - NACIONALE

Haxhiu në mbrojtje të Pecit, flet për një “plan” që të dëmtohen ai dhe Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka lavdëruar punën e Faton Pecit në minisrinë Bujqësisë, duke thënë se “nuk ka asgjë për të fshehur”, pas bastisjes nga Prokuroria Speciale në këtë institucion.

Haxhiu madje, ka folur për “një plan” për të dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti.

“Unë jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur ndërhyrje, ne kemi pasur rastin të diskutojmë para disa ditëve dhe sot, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti.

Pra nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet” – tha ajo, transmeton Nacionale.

Theksojmë se zyrtarët policorë kanë hyrë sot në Ministrinë e Bujqësisë e cila drejtohet nga Faton Peci.

Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale në ministrinë e Faton Pecit.

Nacionale ka mësuar se rasti ka të bëjë me kontratën publike ‘Funksionalizimi i objekteve për përpunimin e produkteve shtazore’ e arritur më 10.01.2025.

Nënshkrimi i kësaj kontrate nga ministri Peci është vlerësuar si skandal. Kjo pasi kontrata në fjalë nuk është nënshkruar në përputhje me ligjin.

Tashmë, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se po zhvillon aksion ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se dyshimet janë pas raportimeve për fabrikën e mbetjeve shtazore.

“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet per Fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës” - ka thënë Nora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Lajme të ngjashme