Hasani: Qeveria nuk mund të anashkalohet në formimin e Asociacionit - NACIONALE

Hasani: Qeveria nuk mund të anashkalohet në formimin e Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës nuk mund të anashkalohet në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në një intervistë për Kohën, Hasani ka thënë se Kushtetuta e Kosovës është e qartë se i përket faktit se kush ka kompetenca për ta zbatuar politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit.

Në këtë mënyrë, Hasani ka bërë me dije se paralajmërimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se SHBA-ja do të angazhohet për formimin e Asociacionit edhe nëse Qeveria refuzon të përfshihet, është vështirë i realizueshëm.

Jo. Kushtetuta është e qartë sa i përket kompetencave të Qeverisë së Kosovës: ajo propozon dhe zbaton politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit. Këtij detyrimi kushtetues nuk mund t’i ikë askush. Përveç kësaj, ekziston edhe një aktgjykim i qartë i Gjykatës Kushtetuese në rastin e PAN-it që thotë se kompetenca e qeverisë për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme nuk mund të tjetërsohet dhe as të bartet në të tjerët”, ka thënë Hasani.

Hasani ka thënë se përpjekja për të themeluar asociacioni me forma alternative kushtetuese, synon amnistimin e Qeverisë aktuale nga kjo çështje.

Kjo përpjekje, pa asnjë dyshim, synon amnistimin e qeverisë aktuale, sepse mëton të shoqërorizojë një kompetencë kushtetuese të qeverisë. Qytetarët dhe shoqëria civile nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme të vendit. Kjo që synohet të bëhet, rrënon rendin kushtetues, dërgon në sferën populiste të një kompetence të qartë kushtetuese të ekzekutivit të vendit. Askush nuk mund të thotë në fund, sikur Pont Pilati, se populli më kërkoj një gjë, dhe unë veprova sipas dëshirës së tij. Populli ka thënë qartë se kush përfaqëson Kosovën me votën e lirë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se shoqëria civilenuk ka as kompetencë profesionale e as legjitimitet politik për t’u futur në vend të pushtetit.

Lajme të ngjashme