Harris dhe Trump bashkohen në Pensilvani në sprintin final para zgjedhjeve - NACIONALE

Harris dhe Trump bashkohen në Pensilvani në sprintin final para zgjedhjeve

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald J. Trump ndodhen në Pensilvani për sprintin final drejt përfundimit në atë që po cilësohet si një nga zgjedhjet presidenciale më të ngushta në historinë moderne.

Në prag të zgjedhjeve, dy kandidatët që kanë ofruar vizione krejt të ndryshme për vendin, shpresojnë që në orët e fundit të mobilizojnë mbështetësit e tyre drejt kutive të votimit dhe të sigurojnë fitoret që secili prej tyre i konsideron të nevojshme për të ruajtur karakterin e kombit.

Znj. Harris po përqendron gjithë energjinë e saj në Pensilvani dhe 19 votat e saj elektorale, të cilat të dy kandidatët i konsiderojnë si vendimtare. Ajo falënderoi punonjësit e fushatës në Scranton, qyteti i lindjes së Presidentit Biden, dhe kishte planifikuar një sërë paraqitjesh nëpër shtet me personalitete si Katy Perry, Lady Gaga dhe Oprah Winfrey.

Gara presidenciale mbetet e ngushtë ndërsa hyn në orët e saj të fundit. Fushata e trazuar e vitit 2024 — ku presidenti aktual demokrat u tërhoq disa javë para konventës së partisë dhe kandidati republikan mbijetoi dy përpjekje për atentat — po përfundon në një atmosferë të pasigurt, me një elektorat të thellësisht të ndarë.

Rreshtat e vendeve të zbrazëta ishin të dukshme në mitingun e Karolinës së Veriut për z. Trump, turma e të cilit është pakësuar ditët e fundit pavarësisht zakonit të tij për t'u mburrur me pjesëmarrjen në mitingje.

Në disa prej paraqitjeve të tij të fundit në ato që njihen si "swing states" dhe konsiderohen vendimtare për të përcaktuar fittuesin, vendet nuk kanë qenë plot dhe disa pjesëmarrës janë larguar para kohe.

Të dy kandidatët kishin planifikuar mitingje në Pittsburgh, dhe z. Trump ishte gati të vazhdonte traditën e tij për të mbajtur mitingun e fundit në Michigan. Znj. Harris nga ana tjetër do të mbyllë natën e saj në Filadelfia. Trump dhe Harris kanë bërë fushatë shpesh në Pensilvani dhe kanë mbushur mediat e shtetit me reklama.

Sondazhi i fundit i The New York Times/Siena College për Pensilvaninë, i publikuar të dielën, tregoi për një garë të barabartë, me të dy kandidatët që kishin mbështetjen e 48 për qind të votuesve të mundshëm.

Kanë kaluar 720 ditë që kur z. Trump njoftoi se do të kandidonte përsëri, 106 ditë që kur z. Biden përfundoi fushatën e tij dhe 91 ditë që kur znj. Harris siguroi nominimin e Partisë Demokratike, shkruan New York Times.

Lajme të ngjashme