Haradinaj thirrje qeverisë: Tërhiquni nga sjelljet kundërkushtetuese
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur rreth përvjetorit të miratimit të Kushtetuës.
Në një postim në facebook, Haradinaj e ka vlerësuar këtë ditë si një nga më të rëndësishmet të Kosovës.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet sipas tij, nga sjelljet kundërkushtetuese dhe të ruajë sigurinë juridike.
POSTIMI:
Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit.
Kjo Kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin tonë me apetite të autokracisë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike.
Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës.
Urime dita e miratimit të Kushtetutës!