Haradinaj: Qasja e Kurtit është logjikë e regjimit, jo e bashkëvendimmarrjes
Ish-kryetari dhe deputeti i zgjedhur nga radhët e Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ai nuk është i interesuar për ndarjen e pushtetit dhe të vendimmarrjes.
Haradinaj, duke folur para Kuvendit, tha se ky rezultat zgjedhor kërkon vendimmarrje të përbashkët, por se Kurti nuk dëshiron ndarjen e vendimmarrjes.
“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët. Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjen”, tha Haradinaj.
Tutje, ai theksoi se Kurti i ka ofruar opozitës që të jetë vetëm pjesëmarrëse në pushtet, ndërsa këtë mënyrë qeverisëse të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje e ka cilësuar si regjim.
“Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat, ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtëruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit. E udhëheqësit e regjimeve totalitare frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes”, tha ai.