Haradinaj për Kurtin: Po e shkatërron ekonominë e vendit, janë budallë të qëllimshëm
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për çasjen e Qeverisë Kurti sa i përket sektorit të ekonomisë.
Haradinaj po thotë se Kurti me veprimet e tij po e shkatërron ekonominë e vendit. Ai shkon më tej, duke e quajtur “shtëpi budallë” kabinetin qeveritar.
“Është duke e shkatërruar ekonominë e vendit. Të gjitha veprimet i ka kundër logjikës ekonomike në vend, si rezultat i kësaj po e zbraz edhe atë pak rini që e kemi në vend. E gjithë logjikën e ka kundër qytetarit të vendit, është kundër, atë që e kam thënë dikur, një shtëpi budallë, por budallë të qëllimshëm, pasi nuk besoj se këto janë rastësi, pasi budallak mundet me qenë një herë, por tash po shihet se këto janë të qëllimshme”- ka thënë ai.
Tutje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaron se njohja nga Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun. Ai thotë se amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjnë më të lehtë Kurtit që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Është njohja në dokument. Këtë dokument, që e kemi para vetes, është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë. E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të gjitha të drejtat e barabarta midis dy vendeve. Kjo na e hap perspektivën për partneritet për paqe dhe ecim përpara”- shtoi ai.
Haradinaj, duke folur për kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ai po e kthen Kosovën me secilin hap prapa.
“A duhet më shumë, ku me marrë më shumë, por jo me këtë njeri, që po e kthen Kosovën secilin hap më prapa. Çdo ditë që vonohet, unë besoj se pasojat do t’i rriten Kosovës. Është edhe de-jure në dokument, por gjuha është e përpunuar në dokument e tillë që Serbia me u nxjerrë në një plan të brendshëm atje, por Kosova i merr ato që i duhen në planin ndërkombëtar”- tha ai për "KosovaPress".