Haradinaj pas rezultateve përfundimtare: Aleanca është në kontratë të përjetshme vetëm me qytetarin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të nëntë shkurtit.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka falenderuar 66 mijë e 256 votuesit e partisë së tij.
“Kemi garuar me një vizion të qartë, atë të sigurisë, prej të cilit do të derivonin edhe siguria ekonomike dhe mirëqenia e qytetarit të Republikës së Kosovës. Tashmë jemi deklaruar se rezultatin e kemi pritur ndryshe, por kjo asnjëherë nuk do të thotë se harrojmë të ju jemi mirënjohës përzemërsisht 66 mijë e 256 votuesve të Aleancës. E dimë saktë se, sado që jemi në numër dhe përfaqësim, nuk do të rreshtim së punuari për një Kosovë të sigurt, të zhvilluar e të avancuar ndërkombëtarisht” – tha ai.
Tutje, Haradinaj ka shtuar se “Aleanca është në kontratë të përjetshme vetëm me qytetarin e Kosovës”.
“Do të jemi këtu, gjithmonë në shërbimin e secilit qytetar, pa përjashtim. Aleanca ka qenë dhe është në kontratë të përjetshme vetëm me qytetarin e Kosovës.
Kosovë, paç ditë të bardha përpara!”.