Haradinaj: Kjo njësi terroriste është e sponsorizuar nga Serbia
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Serbia është sponsorizuese e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
I ftuar në T7 në Pressing, Haradinaj ka thënë se ky sulm terrorist ka mundur të jetë shumë më tragjik. Ai tutje ka thënë se përdorimi i gjithë atij arsenali armësh e municioni do të mund të kishte shkaktuar pasoja të mëdha.
“Kjo njësi terroriste është e sponsorizuar nga Serbia, nuk është fare e tepruar me thanë se shtetet e tjera që e kane sponsorizu terrorizimin në të kaluarën janë të sanksionuara nga bota, edhe Serbia e ka bë të njëjtin veprim – ka sponsorizuar një formacion terrorist dhe sulme terroriste, që ka mujt me qenë shumë më tragjik. Ne e kemi jetën e një polici të humbur, por një përdorim i gjithë atij arsenali armësh do të kishte shkaktuar pasoja më të mëdha. Për këtë edhe kam kërku një hetim ndërkombëtar. Por Serbia nuk do të bashkëpunojë, shumica e përgjegjësve shkuan në Serbi.” – ka thënë i pari i AAK-së.
Haradinaj tutje ka thënë se tre terroristet e vrarë nuk kanë pas ndonjë rol udhëheqës të grupit, ndërsa ekipa udhëheqës nuk është rrëzuar dhe as nuk janë vra.
“Ata që janë vra nuk kanë pas ndonjë rol udhëheqës të grupit, kanë mujtë me qenë logjistikë-nikoqir. Por ekipa udhëheqëse, shtabi i tyre, as nuk u rrëzu e as nuk u vra. Të gjithë e morën si destinacion Serbinë.” – ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjera ka shtuar se duhet një hetim ndërkombëtar sepse Serbia nuk i dorëzon pjesëmarrësit e grupit terrorist.
“Duhet një hetim transparent, i paanshëm…Serbia nuk i dorëzon pjesëmarrësit.” – ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
