Haradinaj: Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar për media sa i përket çështjes së presidentit.
Haradinaj, kur është pyetur se mos ndoshta kryeministri Kurti po dëshiron që të shkojë në zgjedhje ka deklaruar ‘jo ndoshta, por jemi në zgjedhje”.
“Nuk e ka me rëndësi se e ka vetën… Jo ndoshta, po jemi në zgjedhje, sikur të kish dashtë me zgjedhë presidentin ai e din si shkojnë këto punë, këto procese, ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arrit me zgjedhë president. Pra ai nuk e ka hap paketën fare të Qeverisë, me thënë Qeverinë po e ndali për vete, kur vjen puna e presidentit urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe, me atë që e fton për partneritet për president, pra bëhesh partner edhe në Qeveri”, ka thënë ai.
Haradinaj, ka folur për kalimin e deputetes Duda Balje në Grupin Parlamentar të AAK-së, duke thënë se nuk kanë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës.
“Tani mendoj që është mirë edhe për deputeten Duda Balje. Nuk kemi shumë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës, sa i përket vlerave të demokracisë, zhvillimit ekonomik por edhe përkrahjes së komuniteteve, Aleanca gjithmonë ka qenë e kujdesshme, edhe për ne një deputet më shumë në grup. Mendoj që është reciproke, pra është një lloj racionaliteti në fund të fundit se një deputet pa grup e ka të vështirë”, ka shtuar Haradinaj.