Haradinaj: Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për sulmet e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka thënë se Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse siç i quan ai me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë.
“Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai tutje ka thënë se luftrat në Ballkan janë kapitull i mbyllur, ndonëse thonë se është momenti i fundit që regjimi në Beograd t'i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve.
