Hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike, kundërshtohet fuqishëm KQZ-ja: I kundërligjshëm, cenon sigurinë juridike
Vendimi i KQZ-së për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike për zgjedhjet e 28 dhjetorit po kundërshtohet fuqishëm.
Një veprim i tillë po konsiderohet në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe standardet ndërkombëtare.
Kundër këtij vendi sot ka dal edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Përmes një reagimi ky institut ka shprehur shqetësimin ndaj vendimit të KQZ-së, duke e konsideruar këtë veprim si të paligjshëm.
“Ligji përcakton qartë se qendra votimi jashtë vendit mund të funksionojnë vetëm në ambasada, konsullata dhe misione diplomatike të Republikës së Kosovës, dhe vetëm pasi KQZ të vlerësojë hapësirat fizike të këtyre objekteve në bashkëpunim me MPJ-në”, është thënë në reagimin e IKD-së.
Vendimi i KQZ-së është kritikuar edhe nga anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se cilat normal dhe rregulla i cenon një vendim i tillë.
“Pas vendimit të sotëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vlerësojmë se janë cenuar dispozita të rëndësishme të kuadrit ligjor që rregullon procesin e votimit jashtë vendit dhe integritetin institucional të administrimit zgjedhor. 1) Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton qartë se votimi jashtë Republikës së Kosovës mund të zhvillohet vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit. Ky përcaktim është i prerë dhe nuk lejon interpretim zgjerues që do të mundësonte shfrytëzimin e hapësirave private apo të paautorizuara. Vendimi i KQZ-së përbën devijim nga ky rregullim detyrues dhe, rrjedhimisht, tejkalim të kompetencave të autorizuara me ligj”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“2. Shkelja e standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Konventat e Vjenës Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike (1961) dhe Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Konsullore (1963) përcaktojnë qartë nocionin e “hapësirës së misionit diplomatik” si ambient zyrtar, i definuar dhe i përdorur në mënyrë të përhershme për funksionet e misionit. Zgjerimi i votimit në hapësira jozyrtare është në kundërshtim me këto parime dhe bie ndesh me praktikat ndërkombëtare të pranuara nga shtetet. 3. Cenimi i sigurisë juridike dhe risku institucional Hapja e qendrave të votimit në ambiente të pa verifikueshme përfshirë klube, hapësira private apo lokacione pa status diplomatik krijon rrezik të lartë për cenimin e procesit zgjedhor, duke pamundësuar kontrollin objektiv dhe mbikëqyrjen ligjore nga KQZ.”, ka shkruar ai.
Çka raportoi Nacionale?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të hapur qendra shtesë të votimit jashtë përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës.
Një veprim i tillë është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe praktiken e deritashme zgjedhore.
Ajo që e bën edhe më shqetësues vendimin është fakti se shumica e këtyre qendrave do të vendosen në ambiente private, përfshirë restorante, lokale dhe hapësira të tjera, të cilat nuk janë të përshtatshme dhe larg standardeve shtetërore.
Pasi KQZ-ja ka publikuar adresat, gazeta Nacionale ka hulumtuar dhe ka siguruar pamje të vendeve ku do të organizohen këto zgjedhje.
Nacionale ka raportuar edhe dje se vendimi i KQZ-së për të organizuar votime jashtë ambasadave dhe konsullatave është jashtë çdo praktike të njohur zgjedhore dhe bie ndesh me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregulloren zgjedhore të KQZ-së për organizimin e votimit jashtë Kosovës.
Madje, ky vendim i KQZ-së bie ndesh ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloren zgjedhore të KQZ-së për organizimin e votimit jashtë Kosovës.
Sipas nenit 96, paragrafi 8, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve dhe t’i përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ.
“KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”, thuhet në ligj.