Hap i rëndësishëm, Komiteti LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën - NACIONALE

Hap i rëndësishëm, Komiteti LIBE voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liberalizimi i vizave për Kosovën, ka kaluar me sukses në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë Civili, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, siç njihet me akronimin LIBE.

Me 48 vota pro, 7 kundër e 3 abstenime, propozimi kaloi edhe në këtë instancë.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdon të jetë një ndër tema kryesore edhe të këtij viti. Komitetit për Drejtësi dhe Liri Civile të Parlamentit Evropian (LIBE) u mblodh sot (12 janar) për të diskutuar dhe votuar për liberalizimin e vizave për Kosovës.

Ky është votimi i parë në vargun e votimeve që pritet të ndodhin javët në vijim, e që do çojnë deri te vendimi përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas votimit në komitetin LIBE, teksti për liberalizimin e vizave duhet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, pritet të lëvizin lirshëm, më së largu, nga data 1 janar e vitit 2024.

Çka pritet për vizat?

Tashmë veç Kosova nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka liri të lëvizjes për arsye nga më të ndryshme.

1 janar 2024 është data kur përfundimisht qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza.

Kështu pati deklaruar në një intervistë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë në Bashkimin Evropian, Edita Hrda.

Hrda kishte folur edhe rreth arsyeve se pse u vendosë 1 janari 2024 si data e fundit, për libralizimin e vizave, duke thënë se kjo është më shumë “masë sigurie”.

Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë ambasadorja e Çekisë, e cila ishte kryesuese e presidencën e BE-së gjatë gjashtë mujorit të kaluar.

Çka është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.

Lajme të ngjashme