Hamza: Qëndrimi i PDK-së mbetet konsistent, presim konstituimin e Kuvendit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se në takimin e parë që ka pasur me liderin e VV-së, Albin Kurti, nuk kanë biseduar për emra konkret për president.
Para fillimit të seancës konstituive, ai ka thënë se qëndirmin i PDK-së për këtë çështje është konsistent.
Sipas tij, PDK-ja asnjherë nuk ka biseduar për ndarjen e posteve.
“Jo, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është konsistent, do të thotë ne kemi shku në takim, nuk kemi pas, nuk kemi garu ne kush me u bo, kush në cilën pozitë me u bo. Kemi garu edhe kemi kërku votat e qytetarëve të Kosovës me një program çka për ekonominë, çka për drejtësinë, çka për energjinë, çka për infrastrukturën, çka për anëtarësimet, këto kanë qenë temat”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se sot pret që të konstituohet Kuvendit i Kosovës.
“Atëherë nëse flasim për seancën sot, sot është seanca e konstituimit të kuvendit, ku pritet të zgjedhet kryetari apo kryetarja e kuvendit, nënkryetarët, të jepet betimi dhe kjo është rëndësia e ditës, për seancën e sotme, unë nuk shoh arsye që seanca mos të ketë mbarëvajtje, mos të konstituohet, të gjitha kushtet janë që seanca të konstituohet dhe ne të procedojmë tutje dhe normalisht partia me numrin më të madh të ulëseve, të kryejnë detyrat e veta, përgjegjësitë e veta, të japë vendet në institucione”, ka thënë ai.