Hamza: Punëtoritë me qytetarë po e pasurojnë programin tim, po krijojmë platformë të përbashkët
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është shprehur i kënaqur me atmosferën që po mbretëron në punëtoritë që po i mbanë me qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se idetë e njerëzve dhe profesionistëve në këto takime po e pasurojnë programin e tij politik, me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se po ndërton një platformë të përbashkët, e cila ka për qëllim rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik.
“Atmosferë e mrekullueshme në punëtoritë që po i mbajmë nëpër qytetet e Kosovës, ku pikëpamjet e ndryshme dominojnë, por qëllimi është gjithnjë i njëjtë për ta bërë Kosovën më të mirë. Puna ekipore me qytetarë të profesioneve të ndryshme, përvoja dhe idetë e tyre të vlefshme, po e pasurojnë programin tim. Ne po krijojmë platformë të përbashkët, që rrit mirëqenien dhe punësimin e qytetarëve, zhvillon ekonominë, avancon kujdesin shëndetësor dhe përmirëson shërbimet publike. Ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen, angazhimin dhe idetë tuaja!”, ka shkruar Hamza.