Hamza për shpërthimet në Veri: I kam dëgjuar, duhet kujdes prej të gjitha institucioneve
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka treguar për shpërthimet e që u dëgjuan mbrëmë në veri të Mitrovicës.
Hamza ka thënë se i ka dëgjuar edhe vetë këto krisma duke thënë se institucionet duhet ta bëjnë punën e tyre.
“I kena dëgju se unë qaty jetoj, jetoj në qendër të qytetit, te cepi i urës. Janë dëgju, normalisht që situata e sigurisë është mjaft e ndjeshme, duhet kujdes prej të gjitha institucioneve dhe secili ta kryejë punën e vet me përkushtim, me përgjegjshmëri të lartë, dhe me kujdes maksimal”, tha Hamza të hënën për Gazetën Express.
Më tej, ai ka thënë se nuk është e lehtë për qytetarët të jetojnë në këso rrethana dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.
“Unë jam në kontakt me qytetarët, dal edhe në atë pjesë anej. Ata i kanë shqetësimet e tyre, për sigurinë e tyre, të pronës, etj. Nuk është e lehtë thjesht me jetu në ato rrethana, e ata jetojnë që një kohë të gjatë. Edhe na jemi gjithmonë brenda kompetencave tona si komunë, se ne e dimë që kompetencat e pushtetit lokal në Mitrovicë në pjesën e territorit të komunës jugore janë të plota, por në territorin e komunave tjera ne mundemi me u solidarizu, m'i ndihmu gjithçka që është brenda kompetencave tona”, u shpreh Hamza.
Shpërthimet janë dëgjuar në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri, të cilat sipas policisë janë shkaktuar nga mjetet piroteknike.
Ndërkohë, Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka dhënë detaje për rastin duke thënë se kanë qenë mjete prioteknike.
“Ka pasur mjete piroteknike. Nuk ka pasur asnjë dëm ose lajmërim në polici nga ana e ankuesve. Besohet se ka qenë një festë dhe janë përdorur.”
Ndryshe, ditëvet të fundit Policia e Kosovës është ballafaquar me sulme të cilat janë përsëritur për disa ditë radhazhi në pikat kuftiare në veri të vendit, e të cilat dyshohet se janë kryer nga serbët.