Hamza: Nisja e votimit pa 80 deputetë është puç kushtetues
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar “puç kushtetues” nisjen e votimit për presidentin pa praninë e 2/3 të deputetëve në sallën e Kuvendit.
Në seancën e sotme, raundi i parë i votimit u zhvillua me 64 deputetë të pranishëm. Kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk mori asnjë votë. Seanca u shty për nesër në orën 10:00.
“Sonte joserioziteti, papërgjegjshmëria e ka arritur kulmin. Ky është një puç kushtetues. Është derdhur shumë gjak, shumë mund, shumë sakrificë e shumë vuajtje që ne ta kemi lirinë e Kushtetutën.
Sonte veçse është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Ka hyrë në procedurë të votimit çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes në mënyrë antikushtetuese”, tha Hamza.
Hamza tha se pa 80 deputetë të pranishëm nuk mund të konsiderohet i konsumuar raundi i parë dhe, rrjedhimisht, nuk mund të kalohet në raundin e dytë.
“Nuk mund të shkohet në rundin e dytë pa kaluar rundi i parë”, tha ai.