Hamza kritikon Qeverinë për mungesë rezultatesh, teksa shpalos planin e tij për të udhëhequr vendin
Mungesa e investimeve kapitale, pamundësia për të luftuar rritjen çmimeve nga 40 në 60 të produkteve bazë, shkeljet e Kushtetutës dhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, ishin në qendër të kritikave të Bedri Hamzës, kandidatit për kryeministër të Partisë Demokratike, ndaj Qeverië Kurti gjatë intervistës në “Pressing”, teksa shpalosi vizionin e tij për të udhëhequr vendin.
Hamza e nisi intervistën duke shpjeguar se slogani i PDK-së nuk i referohet vetëm mandatit të fundit të qeverisjes, por rezultatit të shumë gjeneratave nga ’82-ta e deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe zhvillimet që kanë ndodhur më pas.
“Jam prej kandidatëve që nuk jam mohues ndaj të kaluarës, ndaj të arriturave. Sllogani që Kosova “mundet ma mirë”, është optimist, shpresëdhënës. Nuk i referohet veç mandatit të fundit qeverisës. Nuk i referohet vetëm mandatit të fundit të qeverisjes. Nëse e krahasojmë Kosovën me para disa viteve, Kosova ka një progres. Është si rezultat i shumë gjeneratave, i shumë përpjekeve. Nuk i mohoj as përpjekjet e 68-ës, as të 81-ës, as 89-ës, as viteve të 90-ta, dhe sidomos kulmin e kësaj me themelimin e UÇK-së deri në Shpalljen e Pavarësisë dhe të bërjes shtet.”
Zotimet e Hamzës
Subvencionet, garancitë kreditore, financimet për rritje të eksporteve, grante për modernizim të teknologjisë, zgjerimin e rolit të Fondit të Garantimit të Kredive të Kosovës, te pjesa e stimujve financiarë dhe një sërë stimujsh të tjerë fiskal si përjashtimin nga taksat për bizneset e vogla dhe tatimit në bazë të fitimit real ishin disa nga zotimet të cilat Hamza i shpalosi gjatë intervistës si prioritete të kësaj qeverie, përveç rritjes se
Kandidati për kryeministër i partisë më të madhe opozitare u zotua se me PDK-në në qeveriisje, bizneset e vogla që gjenerojnë të ardhura deri në 10,000 euro në vit do të përjashtohen nga tatimi në tërësi.
Për bizneset me qarkullim ndërmjet 10,000 dhe 30,000 €, kandidati i PDK-së për kryeminsitër tha se planifikon të zbatojë një sistem tatimor të bazuar në fitimet aktuale dhe jo në një normë fikse.
Hamza premtoi edhe themelimin e Bursës së Kosovës, e cila, thuhet se do të ketë rolin e "tregut të kapitalit për sektorin privat". Ai shtoi se për themelimin e saj do të merren praktikat më të mira të vendeve të suksshëm.
Një nga prioritetet e Hamzës është edhe transformimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të Kosovës, duke u zotuar se do ta bëjë elektrifikimin e hekurudhave ekzistuese, si dhe do ta ndërtojë një lidhje hekurudhore në drejtim të Shqipërisë.
Hamza tha se gjatë mandatit të tij qeverisës do të lidhen edhe Rruga e Kombit me autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Një projekt rrugor që mendoj që duhet të bëhet është lidhja e autostradave, autostradës së kombit “Ibrahim Rugova me autostradën “Arbën Xhaferi” te Suhareka në Duhël dhe me dalë të pjesa te Lipjani në Banullë”, tha Hamza.
Kritikat ndaj Qeverië Kurti
Hamza ka kritikuar qeverinë Kurti për mungesë rezultatesh në të gjitha fushat. Ai përmendi në veçanti inflacionin, ku çmimet e produkteve bazike, sipas tij, janë rritur nga 40 deri në 100 për qind.
“Jemi i vetmi vend në Evropë me sanksione. Standardi i jetesës është përkeqësuar. Inflacioni në vitet e fundit ka qenë dyshifrorë. Rritja e çmimeve në produktet bazike ka qenë nga 40 deri në 100 për qind. Ndërsa pagat, pensionet, të ardhurat e qytetarëve kanë ngel njëjtë. Shporta e konsumatorit është shtrenjtuar dhe standardet e jetesës janë përkeqësu.
Ai akuzoi qeverinë për një sërë shkeljesh të aktit më lart juridik të vendit.
Në aspektin e rendit dhe ligjit kanë ardhur në pushtet me shumë premtime dhe kemi pasë vazhdimisht probleme në respektimin e rendit dhe të ligjit. Nuk u shkel veç ligji, u shkel edhe Kushtetua e Kosovës. Jo një herë, por disa herë." - tha Hamza në "Pressing".
Hamza tha se qeveria Kurti nuk mund të numërojë asnjë projekt të madh të përfunduar.
“Nëse shikojmë ka shumë ndryshime, shumë rrugë, shumë shkolla, rritje të pagave, rritje te kapaciteteve institucionale. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që nuk ka vend për progres dhe nëse i referohemi qeverisjes së fundit katërvjeçare, kemi pasë një qeverisje, thënë më së buti, ku rezultatet mungojnë. Nuk kemi ndonjë rezultat domethënës në investimet kapitale. Me fillu dhe përfundu një mandat një qeveri pa u identifiku me projekte kapitale, ndonjë autostradë, ndonjë stadium, ndonjë projekt të madh që e ka fillu edhe e përfundon, nuk ka.” – tha Hamza në “Pressing”.