Halimi: Revokimi i certifikatës së Klan Kosovës na kërcënon të gjithëve
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për mbylljen e Klan Kosova.
Halimi përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se vendi po ecë mbrapa.
“Vendi ynë është duke ecur mbrapa, këtë nuk duhet lejuar. Gjendja e krijuar nuk ka të bëjë më me beteja politike, por me mbrojtjen e vlerave më fundamentale të demokracisë, si liria, mendimi dhe shprehja e lirë.” – tha ajo.
Synimi për mbylljen e këtij televizioni, sipas Halimit, i kërcënon të gjithë.
“Revokimi i certifikatës së Klan Kosovës, shkurt me synimin për mbylljen e këtij televizioni, na kërcënon të gjithëve. Ndaj, reagimi mbarëshoqëror është domosdoshmëri emergjente.” – u shpreh ajo.
Në fund, zyrtarja e LDK-së ka deklaruar se rruga pa kryeministrin Kurti duhet të mbushet me udhëtarë të zëshëm që s’e duan poshtërimin e Kosovës.
“Rruga pa Albin Kurtin duhet të mbushet me udhëtarë të zëshëm që nuk e duan poshtërimin e Kosovës nga injoranca e Qeverisë së VV-së dhe veprimet e saj populliste, autoritariste dhe kundërligjore.” – deklaroi ajo.