Halimi për letrën e Sveçlës drejtuar Gjermanisë: Dëmton rëndë imazhin e Kosovës - NACIONALE

Halimi për letrën e Sveçlës drejtuar Gjermanisë: Dëmton rëndë imazhin e Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka drejtuar një kërkesë shtetit të Gjermanisë, duke kërkuar që kosovarët të lejohën të hynë në Gjermani me pasaportë të skaduar.

Kërkesa e siguruar nga Kallxo.com, thuhet se ka ardhur pas mungesës së materialit për pasaporta.

Tutje në kërkesë thuhet se foshnjat e sapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me keto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

Halimi në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se nuk është faji te pandemia por te paaftësia e Qeverisë, e cila për gjysmë mandati nuk arriti ta zgjidhë këtë problem.

Tutje Halimi ka thënë se kjo letër e dëmton rëndë imazhin e Kosovës te një vend mik si Gjermania, duke tërhequr vërejtjen se Qeveria duhet ta dijë se para synimit për anëtarësim në organizata të huaja, duhet të i zgjidh probleme të tilla bazike.

Reagimi i plotë i Halimit:

Do të ishte komike po të mos kishte pasoja në rëndimin e jetesës së qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë, si dhe në dëmtimin e imazhit të shtetit tonë, letra e Ministrit të Brendshëm drejtuar shtetit gjerman.

Përmes kësaj letre, ai i kërkon Gjermanisë që t'i lejojë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës të udhëtojnë me pasaportë të skaduar deri në qershor 2023.

Është e pabesueshme që një qeveri e tërë të mos mund ta zgjidh një problem kaq bazik për gati gjysmë mandati.

Shumë shtete kanë hasur në probleme me furnizim në shumë artikuj—përfshirë letrën që përdoret për shtypjen e pasaportave dhe dokumenteve tjera; mirëpo nuk kanë arritur në nivele të tilla paaftësie. Pra, nuk është problemi te pandemia, por te paaftësia.

Përveç pengesave në udhëtim për shtetasit tanë, kjo papërgjegjësi dëmton rëndë imazhin e Kosovës në sytë e një shteti mik si Gjermania. Para se t'ia mësyjë anëtarësimit në BE, Qeveria e Kosovës duhet të zgjidh probleme të tilla bazike, të shkaktuara nga paaftësia e kësaj të fundit.

Lajme të ngjashme