Haki A**** e krahason Kurtin me ish-kryeministrin serb Gjingjiq - NACIONALE

Haki A**** e krahason Kurtin me ish-kryeministrin serb Gjingjiq

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, edhe sa ishte lider opozitar por edhe tani si kryeministër i Kosovës, shpeshherë ka marrë komente nga më të ndryshmet për punën e tij. Komente Kurti nuk pranonte vetëm nga qytetarët, por edhe nga vartësit e tij, të cilët i thurnin lavde e i shpërndanin në rrjetet sociale fjalët e tij.

Tash së fundi një krahasim Kurtit ia ka bërë edhe Haki A****, që në Qeverinë Kurti 1 ishte zëvendës i Kurtit.

Tani si deputet i Vetëvendojes, si duket A**** po e ka më të lehtë që të thurë lavde e të bëjë krahasime për liderin e tij.

Ai e ka krahasuar kohën e ardhjes së kryeministrin Albin Kurti me atë të ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.

Ai tha se është i njëjti sentiment, pasi, sipas tij, edhe në Kosovë po bëhet ndryshimi siç e ka bërë Gjingjiqi në Serbi.

Ne kemi një situatë, nëse ju kujtohet, kur ishte Gjingjiqi kryeministër i Serbisë, edhe bëri një lëvizje drejt shkëputjes nga agjenda e Serbisë së vjetër, drejt një bashkëpunimi shumë më intensiv me Gjermaninë. Çfarë ndodhi? U vra kryeministri Gjingjiq nga vetë serbët, u eliminua për të mbetur tek agjenda e vjetër, agjenda ruse, e nëntokës së Ballkanit… Unë besoj që me ndryshimin në Kosovë, jo vetëm pse është votuar për Vetëvendosjen, por është i njëjti sentiment, sikurse kur filloi çkapja e shtetit si në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ai në emisionin "DPT te Fidani" në T7.

Tjetër krahasim dhe lavdërim për Kurtin ka bërë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mehaj ka thënë se me Kurtin është problem që të garojë dikush për lexim duke thënë se ai është bibliotekë.

Me kryeministrin është problem me u shty, ai thotë se ‘unë jam bibliotekë’, e me to nuk shtyhet”, tha Mehaj në një prononcim për Klan Kosovën.

Deputetë dhe zyrtarë të VV-së në vazhdimësi bëjnë deklarata për Kurtin si kryeminisër dhe si kryetar të partisë.

Kush është Zoran Gjingjiqi?

Zoran Gjingjiqi që e përmendi Haki A****, ishte kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Serbisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjingjiqi ishte njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike. Partia e tij dhe ai udhëhoqën një revoltë kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitit 2000.

Gjingjiqi u bë kryeministër në vitin 2001 dhe ka luajtur rol në arrestimin dhe ekstradimin e Millosheviqit në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte të kryera në Kosovë.

Ai u vra në mars të vitit 2003. Një vrasje, prapavija politike e së cilës ende nuk është sqaruar plotësisht dhe diskutohet ende në Serbi.

Për vrasjen e tij, dy persona janë dënuar me 40 vite burgim.

Ndërkohë Qeveria Kurti ka bërë më shumë se një vit prej se ka marrë pushtetin dhe deri më tani nuk është se ka bërë ndonjë reformë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Përfshirja e ministrave të kabinetit të Kurtit në skandale, nepotizimi dhe probleme të tjera janë disa nga fenomenet që po e përcjellin edhe Qeverinë Kurti, e cila në pushtet erdhi me kauzën për t'i ndalur këto probleme.

Lajme të ngjashme