Thellohet "lufta" kundër DokuFestit, kryetari i BIK-ut i fton qytetarët në protestë nesër pas xhumasë
Pas kundërshtimeve verbale, përmes shkrimeve në Facebook, refuzimi ndaj DokuFestit ka marrë edhe një kahje të re. “Kryengritja” ndaj DokuFestit, për shkak të një paraqitjeje skenike të grave gjysmë të zhveshur e në përkrahje të abortit e transgjinorëve, do të tregohet edhe në rrugë. Nesër në ora 14:00 do të mbahet një protestë në Prizren, vendin ku organizohet edhe DokuFesti. Çka dihet?
Besim Berisha, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës në qytetin e Prizrenit, e postoi një ftesë për protestë kundër DokuFestit, emrin e të cilit festival e shkroi me shkronja të vogla. Qëllimi i protestës duket të jetë kundërshtimi i financimit nga paratë publike të festivalit të njohur ndërkombëtarisht.
Në fakt, Berisha nuk ka treguar se kush e organizon protestën që mbahet pas namazit të xhumasë, duke kërkuar që njerëzit t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së organizatorëve.
“FTESË KUNDËR dokufest
Jo me paratë tona, jo mbështetje financiare shtetërore!!
Të premten në ora 14:00, në Sheshin Shadërvan, takohemi së bashku për ta ngrit zërin tonë kundër dokufest, pro familjes.
Hajde edhe ti, t'i përgjigjemi pozitivishtë ftesës së organizatorëve.” – shkroi ai mbrëmë në Facebook.
Postimi i imamit Berisha, që udhëheq me BIK-un në Prizren, ka marrë deri tash 448 pëlqime, 151 shpërndarje, ndërsa ka pranuar 30 komente. Njëri nga komentuesit, e pyeti se kush janë organizatorët, gjë të cilën duket nuk e di as vet Berisha.
Shfaqja që trazoi konservatorët
Një koncert/shfaqje në kuadër të Dokunights javën e kaluar, ka ngjallë shumë reagime. Të premten që shkoi, grupi “Peaches” performoi në Prizren, ku u panë edhe vajza të gjysmë-zhveshura, gjë e cila nxiti reagimin e shumë njerëzve, përfshirë deputetë të ndryshëm të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, e cilësoi si të tmerrshme dhe të papranueshme përkrahjen nga paraja publike për DokuFestin, Anibarin e të tjera aktivitete që synojnë fuqizimin e kauzës së komunitetit LGBTQI+.
“Është e tmerrshme dhe e papranueshme se si DokuFest, Anibar, Parada e Krenarisë dhe qindra aktivitete të mbështetën nga pushteti qendror dhe lokal me miliona euro nga paraja publike për të promovuar antivlera dhe degjenerim të shoqërisë tonë!
Tashmë është qartë e kuptueshme se të gjitha këto organizime kanë vetëm një qëllim, atë të shkatërrimit të familjes, si shtylla kryesore e shoqërisë dhe identitetit tonë.” – shkroi Rrahmani.
Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Visar Korenica, e cilësoi shfaqjen në Dokunights, si degjenerim. Madje, ai u shpreh i çuditur se si nuk janë përzënë njerëzit nga ajo ngjarje “degjeneruese” (sipas Korenicës).
“Çfarë alarmi duhet me na ra kresë që si shoqëri të reagojmë fuqishëm ndaj këtyre fushatave “emancipuese” që kanë parasysh shkatërimin e armës më të fuqishme që e ka pas ky popull edhe atherë kur ishim pa ushtri e pa shtet, atë të familjes së shëndoshë?
Kujt ja patëm borxh këtë degjenerim? Në emër të kujt? Këto shfaqje as në vende më të emancipuara nuk i sheh.” – shkroi ai.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e fajësoi Qeverinë Kurti për këtë ngjarje.
“Ajo që u servua në Dokufest, ajo shfaqje e turpshme për publikun nuk është as art e as modernizim, është degjenerim.
Gjithë kjo, është thjeshtë pasqyra më e mirë e Qeverisë Kurti.” – shkroi ai.
Ndryshe përkrahësit e flaktë të vlerave familjare, pra deputetët me prapavijë konservatore, nuk kanë reaguar fare për një rast tragjik, të tmerrshëm e thellësisht barbar në Fushë Kosovë, ku një grua u keqtrajtua fizikisht nga bashkëshorti me prindërit e tij, vëllain dhe motrat. Ajo u akuzua se nuk ishte e virgjër.
