Guxon Presidentja Osmani: Ia kthen mbrapa dy ligje pushtetit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur, që t’ia kthej Kuvendit mbrapa dy ligje. Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është miratuar më 31 tetor 2024, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas Presidentes Osmani, këto ligje të votuara nga partia në pushtet e shkelin Kushtetutën.
Në vendim e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”brenda Kuvendit të Kosovës, thuhet se ky ligj parasheh shfuqizimin e Ligjit Nr. 03/L-050 për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Në arsyetim, Presidentja thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.
Po ashtu, Presidentja në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik, raporton Betimi për Drejtësi.
Në anën tjetërLigji për Mbrojtjen e Konsumatorit u rrëzua nga Presidentja me arsyet që kanë, kanë të bëjnë me nenin 17, paragrafin 4 të Ligjit të miratuar, i cili pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit.
“Kjo sepse i njejti cënon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Arsye tjetër që përmendet është se e njëjta dispozitë e kufizon Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që të ndërmarrin masa alternative që mund të lejojnë përdorimin e materialeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç janë qeset e letrës (eco-friendly) apo materialet tjera të biodegradueshme.
Sipas Presidentes, Ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës dhe në anën tjetër krijon kolizion ligjor me Ligjin përkatës për mbeturina.
Përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, neni 17 (4) i Ligjit të miratuar është në konflikt me legjislacionin ekzistues, konkretisht Ligjin për Mbeturinat, i cili sipas Presidentes përcakton procedurat dhe masat për menaxhimin e ambalazhit dhe paketimit, përfshirë masat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.
“Ky ligj, në nenin 11, paragrafin 2 të tij, e ka mandatuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me kompetencë për të njerrë akt nënligjor me të cilin përcakton kushtet, procedurat dhe detyrimet për prodhuesit dhe importuesit, duke krijuar mundësinë për të përcaktuar sisteme të tjera për menaxhimin e mbetjeve plastike, përfshirë një sistem të rimbursimit të depozitës”, thuhet në arsyetimin e Presidentes.
Ende nuk ka ndonjë reagim nga sponzorizuesit e këtyre ligjeve.