Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Dëshmitari serb thotë se ishte keqtrajtuar nga UÇK-ja, përmend komandantin e famshëm
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dëshmitari me kodin (03540) tha se gjatë vitit 1998 si rojtar pyllit ishte ndalur nga ushtarët e UÇK-së dhe për 56 dite ishte keqtrajtuar dhe maltretuar fizikisht.
Fillimisht dëshmitari në pyetjen e prokurori special Ëard Ferdinandusse tha se Latif Gashi i kishte dhënë urdhra ushtarëve të UÇK që të njëjtit ta maltretonin dhe keqtrajtonin, duke shtuar se duart dhe sytë i kishte të lidhura, raporton “Betimi për Drejtësi”
Po ashtu dëshmitari tha se nga Latif Gashi ishe detyruar që të nënshkruante një dokument në të cilin thuhej se më kurrë nuk do ta shkelte tokën e Kosovës.
Dëshmitari sqaroi se kur ishte zhvilluar procesi gjyqësor në Prishtinë ndaj Latif Gashit kishte prezantuar këtë dokument, por se të njëjtin nuk ishte pranuar nga Gjykata nën arsyetimin se ishte dokument i falsifikuar.
Tutje sipas dëshmitarit, së bashku me të ishin të ndaluar edhe Sabit Berisha, e që të njëjtin, ushtarët e UÇK-së e kishin ndaluar dhe keqtrajtuar nën arsyetimin se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.
Ai përmendi edhe një person tjetër me emrin Osman Sinani, të cilin pretendoi se e kishin rrahur deri në vdekje ushtarët e UÇK-së, po ashtu me arsyetimin se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.
Dëshmitari sqaroi se lajmin se e kishin rrahur deri në vdekje Osmanin Sinanin ia kishte dhënë personi me emrin Fadil Syejviqi, për të cili dëshmitari tha se nuk dihej se a ishte spiun apo çka, pasi që sipas tij Fadili ishte i vetmi person që nuk ishte maltretuar nga ushtarët e UÇK-së.
Në një moment gjatë seancës dëshmitari tha se kishte dëgjuar ushtarët e UÇK-së duke thënë njëri-tjetrit më “lër ta vras t’ia q* nanen serbe”.
Tutje ai tha se data e lirimit të tij pas 56 ditësh ndalimi ishte 26 shtatori i vitit 1998.
Dëshmitari në fjalë pohoi se i përket etnisë serbe.