Gjykata në Maqedoni të Veriut vendos për ish-ushtarin e UÇK-së, e çon në arrest shtëpiak
Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së, që u ndalua ditë më parë nga Maqedonia e Veriut, është liruar në arrest shtëpiak.
Nacionale merr vesh nga burimet e saj që, pak më parë, gjykata Maqedoni të Veriut ia ndryshoi masën e paraburgimit, duke e lënë Ramadanin në arrest shtëpiak.
Sjellim ndër mend që Ramadani ishte ndaluar nga ana e Maqedonisë së Veriut për shkak të një fletarresti të Serbisë në Interpol. Siç raporton edhe Alsati, në bazë të vendimit të lëshuar, Ramadani është liruar me kusht.
Që nga dita e parë, politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar se shpresojnë që Ramadani nuk do të ekstradohet në Serbi.
Mbrëmë të njëjtën gjë e tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonsië së Veriut.
“Me keqardhje e kemi pranu lajmin, këtu e keqpërdor se Serbia është pjesë e Interpol-it dhe i aktivizon kohë pas kohe emrat. Për ta informuar opinionin ky nuk është rasti i parë, ka pas në të kaluarën ka qenë rasti Dugolli, Morina dhe fatkeqësisht ndodhi edhe rasti i Blerimit. Ne po bëjmë maksimumin që fillimisht ai të trajtohet mirë në burg”, tha Mexhiti mbrëmë.
“Po mundohemi të lëvizë drejtësia më shpejtë sepse dy raste të tjera kanë përfundu në Gjykatën Supreme dhe në fund Gjykata Supreme i ka liruar të pafajshëm. Po bashkëbisedojmë me Qeverinë e Kosovës dhe mendoj që edhe ky rast do përfundojë njejtë, do të lirohet nga Gjykata Supreme”, u shpreh ai.