Gjykata Kushtetuese publikon aktgjykimin për nënkryetarët e Kuvendit - NACIONALE

Gjykata Kushtetuese publikon aktgjykimin për nënkryetarët e Kuvendit

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin për nënkryetarët e Kuvendit.

LEXOJENI: KËTU

Gjykata Kushtetuese lejon votimin ndaras, por thotë se propozimi për nënkryetar duhet të bëhet nga shumica e deputetëve serbë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka lejuar votimin ndaras të nënkryetarëve.

Sipas vendimit, thuhet se nuk përbën shkelje nëse nënkryetarët votohen ndaras. Kjo pasi nuk është e cekur shprehimisht në kushtetutë.

Megjithatë, Gjykata ka theksuar se propozimi për nënkryetar serb, duhet të bëhet nga shumica e deputetëve, e që i bie në këtë rast, Lista Serbe.

“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit Serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb”, thuhet në vendim.

VENDIMI:

I. TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

III. TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;

IV. TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;

V. TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

VI. T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.

Lajme të ngjashme