Gjykata Kushtetuese i ngrin edhe Kuvendin, edhe dekretin e presidentes deri më 31 mars
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë vendim me efekt të menjëhershëm, duke e bllokuar përkohësisht zbatimin e dekretit presidencial për shpërndarjen e Kuvendit dhe çdo veprim që mund të ndërmerret mbi atë bazë. Njëkohësisht Gjykata ka pezulluar edhe punën e Kuvendit të Kosovës.
Në vendimin e saj, Gjykata ka vendosur njëzëri “të caktojë ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme”, me të cilën “ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Po ashtu, ajo ka urdhëruar që kjo masë “hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”.
Vendimi lidhet me kontestimin e Dekretit nr. 24/2026 të Presidentes, përmes të cilit ishte shpërndarë Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit. Sipas materialit të lëndës, Qeveria kishte kërkuar pezullimin urgjent, duke argumentuar se “pezullimi i menjëhershëm i veprimit të Dekretit nr. 24/2026 përbën një masë të domosdoshme” për të shmangur pasoja të rënda institucionale dhe kushtetuese.
Gjykata nuk ka hyrë ende në vlerësimin përfundimtar të kushtetutshmërisë së dekretit, por ka saktësuar se masa është vendosur “pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26”. Kjo do të thotë se deri më 31 mars mbetet i ngrirë si veprimi i Presidentes lidhur me dekretin, ashtu edhe çdo veprim i Kuvendit.